Abrashi: Nëse s’ka marrëveshje për presidentin, zgjedhjet në janar

Abrashi: Nëse s’ka marrëveshje për presidentin, zgjedhjet në janar

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, njëherësh edhe sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se nëse nuk ka dakordim të shpejtë mes partive politike për emrin e presidentit, vendi do të shkojë në zgjedhje në janar, transmeton Insajderi.

“LDK-ja ka një organizim të mirëfilltë nëpër degë dhe nëndegë nëpër komuna. Kryetari Mustafa e ka bërë të qartë që në qoftë se nuk ka zgjidhje shumë shpejt, gjatë fillim janarit ne duhet të përgatitemi ose po rrëshqasim drejt zgjedhjeve, sepse ato duhet të përfundojnë më herët në mënyrë që vendi të mos mbetët pa president, pasi ushtruesja e detyrës e ka një afat gjashtëmujorë, kështu që do të shfaqeshin problemet se kush do t’i certifikojë zgjedhjet por edhe problemet tjera që mund të lindin nga jo stabiliteti politik”, thotë Abrashi.

Ministri i Infrastrukturës ka folur edhe projektin e autostradës së “Dukagjinit”, që sipas tij, ka një marrëveshje politike mes LDK-së e AAK-së.

Mirëpo, me buxhetin e vitin 2021 për këtë projekt janë paraparë vetëm 200 mijë euro.

“Kemi një marrëveshje politike të cilët ne si partner të koalicionit zotohemi se sipas mundësive buxhetore që për vitin e ardhshëm ne synojmë ta trajtojmë projektin, hartimi i projektit ka nisë më herët. Ministria ka obligim edhe ndaj kompanisë që ka hartuar projektin. Prandaj, mjetet të cilat janë ndarë dhe diskutimi për mjetet që janë ndarë ka të bëjë me një shumë prej 200 mijë euro për kompaninë. Por, me 200 mijë nuk mund të nis autostrada. Vetëm 200 mijë euro janë të ndara në kategorinë e rrugëve të reja për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit. Në si ministri do ta shohim atë projekt ku do të ketë diskutime me kryetarë të komunave, me qytetarë, me grupe të tjera të interesit dhe të shohim nëse duhet apo të ketë revidim të atij projekti. Por, gjithsesi gjithçka verat prej financave, sepse për vitin e ardhshëm siç thash janë vetëm 200 mijë euro”, pohon Abrashi. /Insajderi.com