Abrashi: Nuk do të merrem me çështje tjera, por vetëm me problemet e qytetit

Abrashi: Nuk do të merrem me çështje tjera, por vetëm me problemet e qytetit

Sot në afërsi të objektit të Komunës së Prishtinës, në prezencën të lidershipit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), është prezantuar kandidati i kësaj partie, që do të garojë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, për të parin e kryeqytetit.

Shefi i LDK-së, Isa Mustafa, derisa ka prezantuar kandidatin që synon ta rikthejë timonin e kryeqytetit në duart e partisë së tij, ka prezantuar sukseset e Abrashit, gjatë jetës së tij politike.

Ai ka thënë se gjatë kohës që Abrashi ka qenë ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), është treguar shumë efikas, duke zgjidhur disa prej problemeve me të cilat qytetarët e Kosovës janë ballafaquar me vite të tëra, siç janë problemi i veteranëve, rritja e pagesës për pensionistët kontributdhënës, etj.

“Ne përpos Abrashit kemi pasur edhe kandidatë të tjerë në listë, si veprimtari i kamotshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, deputetja Vjosa Osmani, deputeti Lumir Abdixhiku dhe i nominuari për kryeministër nga radhët e koalicionit LAA, Avdullah Hoti. Të gjithë këta individualisht, por edhe në mënyrë të përbashkët kemi vendosur që Arbani të jetë kandidati ynë dhe të punojmë bashkërisht që të kemi një ndërlidhje të përgjegjësive për ndërtimin e institucioneve”, ka thënë Mustafa.

I nominuari për ta drejtuar Prishtinën, nga radhët e kësaj partie, Arban Abrashi, ka thënë se është i nderuar për besimin e dhënë nga LDK-ja, për tu bërë pjesë e garës për të parin e Prishtinë.

Ai ka falënderuar familjen për përkrahjen e dhënë, duke shtuar se “ne jemi dëshmitarë se Kosova është në luftë në mes dy ekstremeve, ku qytetari I Kosovës dhe Prishtinës po sheh se po përdoret çdo instrument po përdoret për të ardhur në pushtet. Koncepti im për Prishtinën ka të bëjë që qytetari të jetë në fokus”.

“Kryetar i ardhshëm, nuk do të merret me çështje të Qeverisë, me çështje regjionale, por do të angazhohet që t’i ofrojë zgjidhje qytetarit të Prishtinës, në mënyrë që kryeqyteti t’i ngjajë një qyteti evropian”, ka shtuar Abrashi.