Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar në emisionin Rubikon në Klan Kosova se Lëvizja Vetëvendosje prej kohësh proklamonte që të mos votohej Gjykata Speciale, sepse “kemi thënë se këtu do të vije puna”, njofton Insajderi.
Abrashi, duke folur për intervistimin e presidentit Hashim Thaçit në Hagë pohoi se “kemi pasur dyshimet tona se pse ky insistim nga Thaçi për t’u votuar Gjykata Speciale”, kur është pyetur për akuzat e dikurshme të Vetëvendosjes se “Thaçi ka bërë pazare për Specialen që të shkojnë të tjerët e ai të shpëtojë”.
Gjithsesi, sipas Abrashit kur të tjerët vraponin për ta krijuar Specialen “Vetëvendosja është akuzuar pikërisht se e kundërshtonim”.
“Aktivistët e VV-së janë burgosur e rrahur pse e kanë kundërshtuar Gjykatën. Kemi thënë se këtu do të vije puna dhe po na dalin fjalët. Sido që të jetë kjo gjykatë është e padrejtë. Dhe ky është gabim historik dhe historia do ta tregojë”.
“Kjo (formimi i Gjykatës) është pasojë që nuk ka kthim prapa”./Insajderi.com