Abrashi: Rreth 400 mijë kompani të transportuesve të udhëtarëve janë liruar nga disa pagesa

Abrashi: Rreth 400 mijë kompani të transportuesve të udhëtarëve janë liruar nga disa pagesa

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bën të ditur se dikasteri të cilin e drejton do të ndihmojë kompanitë e transportuesve të udhëtarëve, të cilat kanë pësuar rënie gjatë muajve të pandemisë, njofton Insajderi.

Kështu është shprehur ai në një konferencë për media të mbajtur bashkë me kryetarin e Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, ku tutje tha se korniza që MI ka hartuar parasheh formën e kompenzimit për këto kompani të cilat operojnë me kilometra të kaluara brenda territorit të Kosovës, dhe varësisht kilometrave të kaluara edhe do të subvenconohen.

“Në kuadër të mundësive buxhetore që kemi pas më 2020, kemi bërë disa lirime nga pagesat e kompanive të transportuesve të udhëtarëve. Kemi hartuar një kornizë që parasheh një formë të kompenzimit për kompanitë e transportit të udhëtarëve si pasojë e ndikimit ekonomik nga pandemia COVID-19”, thotë ai.

“Kilometrat e kaluara nga kompanitë është vlerësimi më i drejt që të përkrahet apo subvencionohet secila kompani, ndërsa kompetencat tona do të subvencionojmë të gjitha kompanitë linjat e të cilave operojnë brenda Kosovës”, ka thënë tutje Abrashi.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës thotë se të enjten do të zhvillojë një takim me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, të cilit do t’i dorëzojë edhe planin e përpiluar për ndihmesën ndaj 400 e më shumë kompanive.

“Nesër do të kemi edhe një marrëveshje të parimeve, ndërsa të hënën do të dorëzojmë planin te kryeministri. Janë mbi 400 kompani që operojnë në Kosovë, ne po fillojmë në kuadër të kompetencave të ministrisë, ndërsa ajo çka do të diskutojmë me kryeministrinë është që të ndihmojmë këto kompani duke i ndarë nga komunat”, thotë ai.

Ndërsa, Kurtishaj – kryetar i Shoqatës së Transportit – thotë se presin që ky bashkëpunim midis kësaj shoqate dhe Ministrisë së Infrastrukturës të vazhdojë edhe pas formimit të qeverisë së re. /Insajderi.com