Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, e ka akuzuar bashkëpartiakun e tij, Lutfi Hazirin në lidhje me idenë e korrigjimit të kufijve.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Salihaj e ka quajtur Hazirin vegël të Hashim Thaçit brenda LDK-së.
Salihaj është shprehur se Thaçi ka mbetur pa përkrahje te shqiptarët dhe po mundohet ta gjejë atë te maqedonët dhe malazezët.
“Hashim Thaçit iu çorr maska dhe po i shihet qartë fytyra e tij e tradhëtisë, fytyra e nje vegle të thjeshtë të Serbisë për ta shkatërruar shtetin e Kosovës. I gjendur para një situate kur tashmë të gjithë e panë fytyrën e tij të vërtetë dhe i mbetur pa asnjë përkrahje te shqiptarët, ai po vrapon të gjejë mirëkuptim te maqedonët dhe malazezët”, ka shkruar Salihaj.
Pa përmendur emra, ai ka thënë se edhe figura brenda LDK-së po e përkrahin Thaçin për ta shpëtuar lëkurën e tij, duke i quajtur më militantë se vetë ata të PDK-së. Në këtë rast, Salihaj e ka pasur fjalën për Lutfi Hazirin, i cili së është përfshirë në debatin për korrigjimin e kufijve duke thënë se kjo është një mundësi ideale për ta zgjidhur problemin e shqiptarëve që jetojnë në tri komunat jugore të Serbisë.
“Në ndërkohë ,tashmë u paraqitën me prononcime edhe veglat e Thaçit brenda LDK-së, të cilët, në momentet e fundit po mundohen ta shpëtojnë lëkurën e tij. Madje, ata po dalin edhe më militantë se vetë militantët e PDK-së, sepse tashmë, edhe brenda partisë së tij, Thaçi e ka humbur përkrahjen”, ka shkruar Salihaj.