
Përveç akuzave, fyerjeve e përçmimeve, deputetët gjatë ditës së mocionit kaluan edhe në linçim të njëri-tjetrit.
Anton Qunin e Adem Salihajn, kolegia e tyre Ganimete Musliu, i quajti dëshmitarë të Gjykatës Speciale, institucion ky që do të merret me krimet e mundshme të UÇK-së.
Salihaj e mohon sërish se është ftuar si dëshmitar nga gjykata, por thotë se kjo akuzë ka vetëm një qëllim, linçimin publik dhe degradimin e personalitetit të tij.
Ai tha se deputetja përdori metodë të SHIK-ut kundër tij.
Salihaj thotë se tash e tutje, nëse kontaktohet nga zyrtarë të Gjykatës Speciale dhe nëse di diçka lidhur me ndonjë çështje të caktuar, ai do të pranojë të bëhet dëshmitar.
Thotë se nuk çuditet aspak nëse SHIK-u, në krye me Kadri Veselin, institucion ky që, sipas tij, asnjëherë nuk u shua, bën përpjekje për likuidimin e tij fizik, ashtu sikurse në vitin 2000.
Ai hedh akuza sërish kundër ish-kryeparlamentarit Veseli, duke thënë se me udhëheqjen e tij, SHIK-u tashmë është funksional në të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet publike.
Shoqëria civile e sheh si të rrezikshëm këtë fjalor të deputetëve me akuza tejet të rënda.
Kohavisioni ka provuar të marrë edhe një qëndrim të ish-deputetit të LDK- së Anton Quni, i cili e akuzoi rëndë Veselin, se nuk do të largohet nga politika pa e dërguar prapa grilave, por Quni ka thënë se nuk ka çka thotë më tepër se sa ka thënë dje./Koha.net/KTV