Adriatik Kelmendi publikon dokumentin ekskluziv: Nuk pati përmbysje shikueshmërie intervista e Kurtit

Adriatik Kelmendi publikon dokumentin ekskluziv: Nuk pati përmbysje shikueshmërie intervista e Kurtit

Intervista e kryeministrit Albin Kurti në televizionin Kohavision nuk ka qenë “as një fish më i shikuar se sa programi i dytë me radhë”, tregojnë të dhënat e nxjerra nga operatori kabllor Artmotion.

Sipas të dhënave të publikuara nga drejtori i televizionit Klan Kosova, bazuar në matjet e 70 mijë reserverëve të operatorit Artmotion, intervista e Albin Kurtit në KTV është parë 27 për qind më shumë se sa programi i televizionit Klan Kosova.

Sipas këtyre rezultateve, intervista e kryeministrit në detyrë Kurti në KTV nuk ka përmbysur as shikueshmërinë e programit të tretë më të shikuar, televizionit RTV 21.

“Po, intervista e Albin Kurtit te Desku i kolegëve të mi në KTV ka qenë programi më i shikuar në televizionet kosovare në orën 20:00. Por vetëm me rreth 27% më shumë se programi i Klan Kosovës, ose rreth 50% më i shikuar se televizioni i tretë, RTV21”, ka thënë Kelmendi.

“Pra, nuk pati asnjë program që ishte as një fish më i shikuar se programi i dytë me radhë, e jo më 25 fish siç pretendohej”.

Kelmendi ka njoftuar se rezultati bazohet në rreth 70 mijë reserverët e Artmotion, rrjetit kabllor të shtrirë në gjithë territorin e Kosovës.

“Ky rezultat del në bazë të rreth 70 mijë risiverëve të rrjetit kabllor Art Motion, shtrirë në gjithë territorin e Kosovës, si dhe në aplikacionin e Art Motion në smartphone në diasporë dhe gjithandej në botë. Sigurisht të dhënat e risiverëve të Ipko, Kujtesa e Teleset japin pasqyrë të ngjashme”, ka deklaruar drejtori i Klan Kosovës.

Intervista e së mërkurës e kryeministrit në largim Kurti vendosi rekord të ri të shikueshmërisë online – në rrjetet sociale.

Këtë rekord, militantët e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë së Kurtit, e kanë përkthyer kinse si përkrahje popullore ndaj tij.

Mirëpo, faktet hedhin dyshime se një pjesë e madhe e shikimeve nuk ishin të vërteta.

Siç raportoi Insajderi të mërkurën, një numër i madh i tyre kanë ardhur nga Egjipti, një vend larg Kosovës me një popullsi që nuk e njeh gjuhën shqipe dhe që nuk është e interesuar për zhvillimet politike në Kosovë.

Por, për militantët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka qenë shumë e rëndësishme kjo. E rëndësishmja, ka qenë që të shihet në opinion një mbështetje shumë e madhe e liderit të tyre.

Ekskluzive: 50 mijë followers nga Egjipti në mbështetje të fuqishme për thyerjen e rekordit nga Kurti