Ekonomia është goditur fort nga pandemia. Prandaj, kryeministri po kërkon bashkëpunimin e Parlamentit të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se i ka kërkuar Vjosa Osmanit që me urgjencë të vazhdohet me “Projektligjin për plotësim ndryshimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2020, si dhe ri-procedimin për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare”, njofton Insajderi.
Hoti thotë se kjo është e domosdoshme pasi që “bizneset e vogla dhe të mesme, përfshirë ato të drejtuara nga gra dhe sipërmarrës të rinj, janë duke u goditur më së shumti nga rënia ekonomike e shkaktuar nga pandemia”.
Siç ka shpjeguar kryeministri “masat për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, kanë rezultuar në ndërprerje të zinxhirit të furnizimit dhe një rënie masive të kërkesës në shumicën e sektorëve”.
“Duke marrë parasysh pasojat që kjo pandemi po shkakton në ekonomi, aprovimi i Projektligjit të Buxhetit dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare do t’i hapte rruga Qeverisë për të ndërmarrë masa të menjëhershme në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve, me planin shumë të nevojshëm për rimëkëmbjen ekonomike”.
“Me mirëkuptim për situatën e rëndë ekonomike në vend, kërkojë që ky projektligj të trajtohet me prioritet të lartë”, përfundon Hoti.