Aeroplanët e Ushtrisë Serbe mesditën e së shtunës kanë patrulluar hapësirën ajrore afër pikëkalimit kufitar në Jarinje, transmeton Insajderi.com.
Patrullimi i tyre u përshëndet nga serbët që tashmë kanë bllokuar rrugën gjashtë ditë më parë.
Helikopterët e Ushtrisë Serbe “Mi-35”, të njohur si “karroca të djallit” ose “kështjella fluturuese”, patrulluan gjithashtu dje në hapësirën ajrore mbi Jarinje, raporton Kosovo Online.
Kurse, mëngjesin e së shtunës është raportuar se një zjarr ka shpëthyer në ndërtesën e Komunës së Zubin Potokut.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se me këtë, Serbia po provon nxitjen e një konflikti serioz ndërkombëtar.
Ndryshe, që nga e hëna, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia, t’i zëvendësojnë target me ato të Kosovës, të cilat vlejnë 60 ditë.
Të pakënaqur për këtë, banorët e komunave veriore të Kosovës kanë bllokuar rrugën që nga e hëna, duke mos lejuar kështu të qarkullojë asnjë veturë.
Për të mbikëqyrur situatën, në këto pika kufitare janë vendosur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët disa herë kanë qenë të provokuar nga protestuesit serbë të cilët lëshonin këngë nacionaliste serbe./Insajderi.com