Afera e 5 mijë eurove për pazaret me hetimet – Haxhiu: Të merren masa ndaj këtij skandali të madh

Afera e 5 mijë eurove për pazaret me hetimet – Haxhiu: Të merren masa ndaj këtij skandali të madh

I dënuari për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, Dardan Hoxha, ka treguar se një nga pazaret e mëdha në sistemin e drejtësisë, nëpërmjet një rrëfimi mediatik.

Bazuar në një hulumtim të publikuar nga ‘Kallxo’, ku Hoxha ka rrëfyer se si ka paguar mbi pesë mijë euro për të lehtësuar lëndën në Prokurorinë e Prizrenit.

I gjithë rasti fillon me prokuroren Ervehe Gashi, që ishte duke e hetuar rastin, ndërsa Dardani ka ndarë një dosje brenda së cilës ka edhe materiale ku ka filmuar një moment kur i dorëzon rreth pesë mijë euro në dorë të Rizam Hoxhës, një mik i burrit të prokurores që po e hetonte rastin, që sipas Hoxhës ai ia ka kërkuar paratë në emër të Bajram Gashit – burrit të prokurores Ervehe Gashi.

Prokurorja Gashi ka thënë se nuk ka të bëjë asgjë me këto trasanksione dhe se nuk ka qenë e njoftuar për këto diskutime, mirëpo në këtë video shihet se personi që I pranon paratë, kryen një telefonatë në të cilën dëgjohet duke caktuar një takim me një person, që sipas Dardan Gashit është burri I prokurores në fjalë.

Takimi kur ishin dorëzuar paratë kishte ndodhur në gusht të vitit 2017, kohë kjo kur babë e bir ishin liruar nga paraburgimi, meqë edhe babai I tij Sadik Hoxha ishte pjesë e hetimit.

Pas dorëzimit të parave Dardani ka rrëfyer se babai i tij, Sadik Hoxha, ishte takuar me burrin e prokurores Ervehe Gashi në shtëpinë e vikendit të këtij të fundit. Takimi kishte ndodhur në kohën kur prokurorja ishte duke e hetuar rastin dhe Sadik Hoxha ishte pjesë e hetimit penal në këtë dosje.

Sadik Hoxha ka rrëfyer se gjatë kohës kur ai ishte duke u hetuar ishte takuar dy herë me burrin e prokurores për të diskutar për lëndën.

“Në takime kemi diskutu për lëndën” ka rrëfyer Sadiku.

Sipas tij takimet ishin aranzhuar nga Rizam Hoxha, personi që shihet në pamje duke e pranuar zarfin me para.

Takimet janë konfirmuar edhe nga burri i prokurores Gashi. Bajram Gashi në një përgjigje ka thënë se takimi ishte caktuar nga Rizam Hoxha mirëpo sipas Gashit ai e kishte njoftuar se nuk mund të kryente punë.

“Ju kam bërë të qartë që nuk mund t’i ndihmoj asgjë”, ka thënë Gashi në një përgjigje me email për “Kallxo”, duke shtuar se për këtë takim nuk e kishte njoftuar gruan.

Në rrëfimin e tij Dardan Hoxha ka thënë se ky takim kishte ndodhur një natë para se prokurorja të jepte fjalën përfundimtare moment ky kur Prokuroria grumbullon provat dhe i paraqet para Gjykatës.

“Kur kemi shku në Gjykatë nuk na e kanë hjekë asnjë vepër”, ka rrëfyer Hoxha.

Ky i fundit ishte dënuar me burg nga Gjykata e Prizrenit ndërsa pas këtij momenti Dardani kishte nisur të kërcënonte se do i publikonte materialet filmike ku ai i dorëzonte paratë.

Të dhënat tregojnë që në këtë kohë ishte organizuar një takim në mes Bajram Gashit,Rizam Hoxhës, Sadik Hoxhës dhe Dardan Hoxhës. Në këtë takim, i cili është filmuar, ka pasur biseda interesante ku janë përmendur dorëzimi i parave ndërsa në disa momente Bajram Gashi ka përmendur se mund ta denoncojë Dardanin për shantazh dhe kërcënim.

Në rrëfimin e tij Dardan Hoxha pretendon se në këtë takim kishte marrë zotim nga Bajram Gashi që nëse rasti nuk do shkonte tutje prokurorja nuk do bënte ankesë.

“Më ka thënë që nëse nuk i kërkon kryeprokurori prokurorja nuk bën ankesë”, ka thënë Hoxha.

Ai për këtë çështje ka paraqitur një video-incizim nga ai takim ku Bajram Gashi dëgjohet duke përmendur ankesën dhe mundësinë që kryeprokurori t’ia kërkonte këtë prokurores Gashi.

Në bisedë Gashi përmend edhe dënimet që Rizam Hoxha do i merrte në rast se do dërgohej ky rast në prokurori e po ashtu dënimet që Dardan Hoxha do i merrte në rast se ai do denoncohej për kërcënim.

“Ky pesë e ti tri”, dëgjohet duke thënë Gashi.

Për këtë takim, Gashi ka thënë se e kanë realizuar për të sqaruar disa kërcënime ndaj familjes së tij ndërsa thotë se përmendjen e dënimeve e kishte bërë për ta paralajmëruar Hoxhën për t’i ndaluar kërcënimet.

Në të tërë këtë histori prokurorja Ervehe Gashi ka thënë se nuk ka ditur asgjë për këtë rast.

“Për mua lënda është përfunduar siç duhet dhe personi është dënuar me aktakuzën time”, ka thënë Gashi, duke shtuar se nuk ka qenë e njoftuar për këto takime dhe për mundësinë që për dosjen të jenë paguar paratë. Ajo madje ka thënë që as burri i saj nuk e kishte njoftuar për këtë ngjarje.

Pas publikimit të këtij investigimi, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se ky hulumtim shpërfaq pazaret e mëdha në sistemin e drejtësisë.

“Sonte patëm rastin hapur e publikisht të shohim ato që po ndodhin brenda sistemit të drejtësisë ku jepen para për t’i ikur drejtësisë. Edhe për shumë raste të tjera mund të mos jemi në dijeni”, ka shkruar ajo.

Ajo thotë se vetingu në sistemin e drejtësisë është çelësi i vetëm për të kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Kjo çfarë pamë sonte është dëshmi e madhe që vetingu në sistemin e drejtësisë është çelësi i vetëm për të kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Do të nisim punën shumë shpejt në këtë drejtim”.

Haxhiu ka urdhëruar që të merren menjëherë masa ndaj personave të përfshirë në këtë rast.

“Ligjet janë të kota nëse ato nuk zbatohen ndaj secilit, pavarësisht pozicionit që mbanë prandaj edhe menjëherë duhet të ndërmerren masa ndaj personave të përfshirë në këtë skandal të madh”, ka shkruar më tej Haxhiu. /Insajderi.com