117 shtetas afganë, të cilët janë strehuar përkohësisht në Kosovë, pritet që të enjten të largohen përmes Aeroporti Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Destinacioni i grupit të parë që pritet të largohet thuhet të jetë Britania e Madhe.
Ky grup që po largohet, deri më tash ishte i strehuar në kampin Bechtel-Enka në Ferizaj. Në këtë kamp ishin të strehuar shtetas që kanë punuar me forcat e NATO-s në Afganistan, raporton REL.
Këta shtetas afganë janë larguar nga Afganistani pasi ekziston rreziku që “do të persekutohen” nga talebanët, të cilët e morën pushtetin muajin e shkuar.
971 është numri i saktë i të ardhurve nga Afganistani në Kosovë vetëm deri në mesditën e së hënës.
Bëhet e ditur se 810 refugjatë janë vendosur në kampin Bechtel-Eenka në Ferizaj, kurse 161 në kampin Bondsteel, po ashtu në këtë komunë.
Shtetasit afganë do të qëndrojnë në Kosovë derisa t’iu rregullohet dokumentacioni për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë shtet tjetër anëtar të NATO-s.
Kosova pritet të strehojë gjithsej rreth dy mijë shtetas afganë.
Autoritetet kosovare kanë thënë se sipas ligjeve, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm me kohëzgjatje deri në një vit.
Mijëra afganë janë strehuar edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. /Insajderi.com