Edhe pse nuk e kishte përmendur më parë, tani Imer Imeri ka lëshuar akuza ndaj Rexhep Selimit dhe gruas së tij, duke pretenduar se ata të dy e kishin rrahur në burgun e UÇK-së në vitin 1999. Imeri thotë se identitetin e gruas së Rexhep Selimit e kishte mësuar para dy-tre muajsh.

Takimi me presidentin Hashim Thaçi dhe shpallja hero e vëllait të tij, Hakiut, e ka bërë Imer Imerin jo vetëm të mos e akuzojë Thaçin, por edhe njerëzit e afërt me të.
Imeri, që ka dëshmuar në procesin gjyqësor kundër Sabit Gecit i dënuar më 15 vjet burgim, kurrë nuk e ka përmendur bashkëshorten e Rexhep Selimit, Shqipen.
Tash pasi është afruar me Thaçin, Imeri ka filluar të akuzojë njerëz të tjerë.
Presidenti Thaçi e ka shpallur hero kombëtar aktivistin e vrarë të LDK-së dhe vëllanë e Imer Imerit, Hakiun, më 18 janar të këtij viti. Për këtë nderim Thaçi e kishte bindur Imerin duke i bërë be se nuk ka gisht në këtë vrasje.
Imer Imeri që e ka akuzuar vazhdimisht Thaçin, është shprehur i bindur se Thaçi “nuk ka hak as hile në këtë krim”. Imeri që vazhdimisht e ka akuzuar PDK-në, më pas e kishte akuzuar LDK-në se nuk bëri asgjë për zbulimin e krimit, por vetëm përfitoi vota në emër të tij.
Edhe pse nuk e kishte përmendur më parë, tani Imer Imeri ka lëshuar akuza ndaj Rexhep Selimit dhe gruas së tij, duke pretenduar se ata të dy e kishin rrahur në burgun e UÇK-së në vitin 1999. Imeri thotë se identitetin e gruas së Rexhep Selimit e kishte mësuar para dy-tre muajsh.
“Na ka rrahur edhe një femër është quajtur Shqipe, na ka rrahur me shkop. Por, nuk ia dija mbiemrin atëherë, më pas ia mësova mbiemrin para dy-tre muajsh. Ajo është shqipe Selimi, shoqja e Rexhep Selimit. Disa njerëz më kanë treguar që Shqipja është e martuar me Rexhepin dhe i ka dy fëmijë. Këtë e kam vërtetuar mirë, 100 për qind. E njoh mirë atë edhe në foto e kam parë”, ka thënë Imeri të hënën për Klan Kosovën.
Bazuar edhe në dëshminë e Imerit, Sabit Geci është dënuar për shkak se në cilësinë e anëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke mbajtur postin komandues në burgun e Kukësit, në bashkëpunim me ish-ushtarin tjetër të UÇK-së, Xhemshit Krasniqin dhe anëtarët tjerë të UÇK-së, kishin torturuar tetë dëshmitarë, të gjithë të burgosur civil, në përpjekje që të sigurojnë informata dhe rrëfim nga viktimat duke përdorur vazhdimisht dhunë kundër tyre duke i urrdhëruar ushtaret e tjerë të UÇK-së të veprojnë njësoj.
Geci akuzohej në një pikë tjetër për shkelje të integritetit trupor të të burgosurve në mes të prillit dhe qershorit të 1999.
Në aktakuzë, Prokuroria përshkruan gjendjen në Kosovë gjatë luftës dhe arsyet e ikjes së shqiptarëve në Shqipëri e vende tjera. Aty përshkruhet se nga fundi i marsit ose fillimi i prillit 1999, deri në mes të qershorit 1999 UÇK-ja kishte krijuar dhe kishte vënë në funksion disa baza logjistike, trajnuese dhe furnizuese në Shqipërinë veriore.
Sipas aktakuzës, dy prej këtyre bazave ishin vendosur në qytetin e Kukësit dhe Cahanit. Në këto dy lokacione disa persona të caktuar të UÇK-së paraburgosën civilë dhe persona që nuk merrnin pjesë në luftë për arsye të ndryshme.
Gjykata e kishte dënuar Sabit Gecin më 15 vjet burgim për katër pika të aktakuzës për krime të kryera në dy kampe të UÇK-së në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë, ndërsa e kishte liruar nga akuza për dy pika tjera që përfshinë edhe vrasjen e Anton Bisakut – një civil nga Prizreni.
Gjykata kishte gjetur prova të mjaftueshme që të mbajturit në kampe në Kukës dhe Cahan, janë rrahur e maltretuar dhe nuk janë ushqyer mirë, nuk u është dhënë ujë dhe nuk ka pasur kushte higjienike për ta.
Dëshmi koherente, për shpalljen e të pandehurve fajtorë ishte ajo e dëshmitarit Imer Imeri.
Ai ishte anëtar i LDK-së, dhe ka deklaruar se është rrahur nga Geci dhe Aliaj. Trupi gjykues nga dëshmitë e dëshmitarëve ka vërejtur se ndaj atyre që janë mbajtur në këto kampe është ushtruar dhunë sadiste.
Geci e Alija janë fajtor sepse “ishin përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në keqtrajtimin e personave që mbaheshin në këto kampe”, nga fundi i marsit ose fillimi i prillit e deri në qershor 1999. Dy të akuzuarit, burgosnin kosovarët të cilët largoheshin nga konflikti dhe dyshoheshin se bashkëpunonin me regjimin serb, ose “kishin pikëpamje të ndryshme politike me ato të UÇK-së.
Insajderi sjell aktakuzën e plotë kundër Sabit Gecit dhe të tjerëve, e cila është vërtetuar ne Gjykatë. Në këtë aktakuzë nuk përmendet gruaja e Selimit. /Insajderi.com