Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, është betuar për ta drejtuar këtë komunë edhe në katër ditët e ardhshme.
Kështu ka njoftuar Komuna e Ferizajt, të mërkurën.
Kuvendi Komunal i Ferizajt, gjatë ditës së sotme ka mbajtur seancën inauguruese për mandatin katërvjeçare.
Para fillimit të kësaj seance, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar nga bashkëpunëtoret e tij, ka bërë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizajt.
Pas kësaj ka filluar ceremonia e seancës inauguruese në të cilën kanë marrë pjesë deputetë, drejtues e përfaqësues institucionesh lokale e qendrore, drejtues të shoqatave të dalura nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prijës fetar, drejtues të shoqërisë civile media e shumë mysafirë të tjerë.
Këtë seancë e ka udhëhequr anëtari më i vjetër i Kuvendit, Xhavit Zariqi, i cili pasi i ka përshëndetur të gjithë të pranishmit, ka uruar kuvendarët e zgjedhur, duke theksuar rëndësinë që ka për secilin zgjedhja në organin më të lartë të nivelit lokal.
Pas fjalës përshëndetëse seanca ka vazhduar me betimin e anëtarëve të Kuvendit si dhe me nënshkrimin e deklaratës së betimit të cilin e kanë bërë 41 anëtarët e zgjedhur të këtij Kuvendi sa kanë qenë të pranishëm.
Para anëtarëve të Kuvendit, betimin e ka bërë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
Në fjalën e tij, Kryetari Aliu ka shprehur falënderimin për qytetarët e Ferizajt për besimin e dhënë dhe në këtë kontekst ka përsëritur zotimin për angazhim maksimal të tij në krijimin dhe avancimin e jetës së qytetarëve në këtë komunë. /Insajderi.com