Agim Bahtiri reagon për përleshjen e LDK-së në Mitrovicë: Ndjej dhimbje

Agim Bahtiri reagon për përleshjen e LDK-së në Mitrovicë: Ndjej dhimbje

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri njëherit edhe anëtar i Aleancës Kosova e Re (AKR), ka reaguar lidhur me përleshjen e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Mitrovicë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Bahtiri ka shkruar se si një themelues i LDK-së në vitet 89-90 apelon që kjo parti t’i zgjedhin strukturat drejtuese në mënyrë demokratike, shkruan Gazeta Insajderi.

“Si themelues i LDK-së në vitet 89-90 në Mitrovicë, apeloj te struktura e kësaj partie që t’i zgjedhin strukturat drejtuese në mënyrë demokratike, duke e respektuar vullnetin e anëtarësisë. Përleshjet fizike nuk i kontribuojnë klimës së shkëlqyeshme politike të krijuar në Mitrovicë, pas ardhjes time si kryetar komune”, ka shkruar Bahtiri.

Tutje ai është shprehur se ndjen dhembje kur sheh probleme në këtë parti për të cilën thotë se ka kontribuar jashtëzakonisht shumë.

“Ndjejë dhimbje të shoh duke pasur probleme apo duke u shembur diçka në krijimin e së cilës kam kontribuar jashtëzakonisht shumë. LDK është parti me shumë vlera, andaj duhet të jep shembull për zgjedhje të lira dhe demokratike”, ka përfunduar Bahtiri.

Një përleshje fizike është zhvilluar sot gjatë Kuvendit Zgjedhor në degën e LDK-së në Mitrovicë. Kjo për shkak të pakënaqësive ndërmjet delegatëve të kësaj dege, për shkak të zgjedhjes së kryetarit të ri. /Insajderi.com