Zyra e Auditorit Gjeneral, në auditimin që i ka bërë komunës së Mitrovicës ka gjetur mangësi në rregulloren e brendshme të komunës për ndarjen e subvencioneve.
Sipas të gjeturave të ZAP, rregullorja e subvencioneve e përcakton vlerën e ndarjes së subvencioneve, por jo edhe sa herë të njëjtit personat fizik/juridik mund të subvencionohen brenda vitit. Me vendim të kryetarit të komunës mund të ndahen subvencionet deri në 2 mijë euro kurse mbi këtë vlerë duhet të kalojnë përmes Komitetit për Politikë dhe Financa.
ZAP ka gjetur se disa organizata joqeveritare janë subvencionuar disa herë brenda vitit dhe për vite me radhë.
“SHKA “AD-LIBIDUM” kemi vërejtur që tri herë gjatë vitit është subvencionuar në vlerë totale 3,095€; për “Shoqatën e gjahtarëve për trajtimin e qenve endacak në zonat urbane dhe rurale të Komunës së Mitrovicës” gjashtë herë në vlerë 8,965€; ‘’Zëri i prindërve’’ pesë herë në vlerë 5,510€; ‘’Shoqata e Artisteve Figurativ’’ katër herë në vlerë 7,190€; “, thuhet në raportin e ZAP.
Përveç kësaj, kryetari i komunës ka ndarë edhe ‘’Subvencione për person privat’’ plotë pesë herë në vlerë 3,090€.
Ky institucion i rekomandon kryetarit që të konsideroj mundësinë e plotësimit/ndryshimit të rregullores ekzistuese në mënyrë që të përcaktohen kritere shtesë lidhur me limitet për dhënien e subvencioneve, në mënyrë që mundësia për përfitimin e subvencioneve të jetë e arsyeshme. /Insajderi.com