Agim Bahtiri shpalos edhe një post që po e kërkon LDK-ja nga VV – I bënë thirrje të veçantë Lutfi Hazirit

Agim Bahtiri shpalos edhe një post që po e kërkon LDK-ja nga VV – I bënë thirrje të veçantë Lutfi Hazirit

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, sot përmes rrjetit social Facebook, ka shpalosur edhe një kërkesë tjetër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, karshi kësaj të parës, për formimin e qeverisë, shkruan Gazeta Insajderi.

Bahtiri, njëherësh edhe kryetar i Komunës së Mitrovicës, ka thënë se LDK-ja dhe veçanërisht Lutfi Haziri duhet ta kuptojnë se kthim para 26 dhjetorit nuk ka.

Sipas kësaj, Bahtir ka lënë të kuptohet se Lidhja Demokratike e Kosovës, po ia kërkon edhe kryeparlamentarin Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nga 75 deputetë që kanë votuar ‘pro’, 27 deputetë të LDK-së e kanë votuar me vullnetin e lirë kryeparlamentarin, andaj kjo pikë tashmë është e përfunduar, sepse nuk mund të bëhen lojëra me veprime të tilla”, ka shkruar ndër të tjera Bahtiri.

Ai po ashtu i ka bërë thirrje Isa Mustafës, që t’i lë anash interesat e ngushta partiake apo grupore dhe të vendos para vetes interesin e qytetarëve, duke nënshkruar marrëveshjen e koalicionit qeverisës.

“Nuk kemi kohë për të humbur për ta çuar në vend vullnetin e qytetarëve të shprehur me votën e lirë në zgjedhjet e 6 tetorit, prandaj LDK nuk bën të bëjë bllokadë institucionale, sepse populli ynë mjaftë ka vuajtur dhe e presin vendime jo të lehta në të ardhmen e afërt. Pavarësisht zvarritjeve Qeveria do të votohet në fund nga të paktën 75 deputetë, ku prej tyre do të jenë 27 të LDK-së”, ka përfunduar shkrimin në rrjetin social Facebook, Agim Bahtiri.

Kujtojmë, se takimi i fundit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhje Demokratike të Kosovës, ka qenë të enjten, ku krerët e të dy partive, kanë dalë nga Kuvendi i Kosovës, duke iu ikur medieve dhe duke mos dashur të komentojnë se deri ku janë pajtuar për marrëveshjen e mundshme për bashkëqeverisje./ Insajderi.com