Agim Çeku shkarkohet nga Kadri Veseli – mbetet pa asnjë pozitë në qeveri

Agim Çeku shkarkohet nga Kadri Veseli – mbetet pa asnjë pozitë në qeveri

Agim Çeku, zëvendësministri i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, është shkarkuar sot nga pozita e zëvendësministrit nga shefi i tij i partisë, Kadri Veseli.

Çeku do ta lirojë këtë pozitë pasi që Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar hetimet ndaj tij dhe 12 personave tjerë lidhur me verifikimin e statusit të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), shkruan Gazeta Insajderi.

Çeku ka qenë udhëheqës i Komisionit për Verifikimin e Veteranëve dhe është duke u akuzuar për fryrjen e listave të veteranëve.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, në një mbledhje të komisionit  dyshohet për manipulimet që janë bërë gjatë përpilimit të listës së veteranëve.

Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej mbi 68 milionë euro.

Në bazë të ligjit, veteran luftëtar i UÇK –së, është qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK- së, dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK së, dhe i cili ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës.

Sipas ligjit, këtë benificion, veterani nuk mund ta marrë nëse është shfrytëzues i ndonjë skeme pensionale të financuar nga shteti në Republikën e Kosovës, apo është i punësuar në sektorin publik dhe privat në vend.

Ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (UÇK) Agim Çeku i cili ka drejtuar komisionin për njohjen dhe verifikimin e statusit të Veteranit, Invalidëve dhe pjesëtarëve tjerë që kanë qenë pjesë e UÇK-së në luftën e fundit në Kosovë ka thënë se është i shokuar çfarë ka ndodhur me listat e veteranëve.

Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Çeku kishte thënë se çdo herë ka kërkuar kujdes nga anëtarët e komisonit që të kenë kujdes gjatë kryerjes së detyrës.

Çeku kishte shtuar sse i ka informaur anëtarët e komisionit se çdo veprim i kundërligjshëm do të ketë pasoja ligjore.

“Unë prej fillimit të procesit, vazhdimisht anëtarëve të komisionit dhe njerëzve të involvuar, u kam kërkuar që të jenë të kujdesshëm që të veprojn në përputhje me ligjin dhe vazhdimisht ju kam thënë se çdo veprim i kundërligjshëm do të thotë do të ketë edhe pasoja ligjore”, kishte thënë Çeku.

EULEX po ashtu ka ngritur sot aktakuzë për mashtrim në listat e veteranëve dhe seks me pagesë.

Aktakuza, sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit përfshin edhe mundësimin ose detyrimin në prostitucionin, duke u pretenduar se njëri nga të pandehurit ishte përfshirë edhe në shtytjen dhe aranzhimin e marrëdhënieve seksuale me pagesë ndërmjet një gruaje dhe disa burrave, duke përfituar nga kushtet e rënda ekonomike të saj. /Insajderi.com