Agjencia evropiane do sqarime nga Qeveria për shkarkimet në Agjencinë e Akreditimit

Sqarime për shkarkimet e Bordit të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë dhe ushtrueses së detyrës së Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ka kërkuar nëpërmjet një letre presidenti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), Karl Dittrich, shkruan sot Koha Ditore.

Në letrën drejtuar ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, që mban datën 6 tetor dhe të cilën e ka siguruar “Koha Ditore”, thuhet se EQAR është njoftuar nga mediat për këto shkarkime dhe po nga mediat e ka marrë vesh se arsyetim për këto shkarkime kanë qenë “parregullsitë”.

Dittrich ia ka kujtuar ministrit Bytyqi se AKA-ja është pjesë e Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, që prej vitit 2015. Si e tillë, thuhet në letër se AKA-ja është subjekt i monitorimit nga EQAR.