Miku i ngushtë i Hashim Thaçit, Bratislav Nikoliq që është kryetar i Komunës së Shtërpcës ka ndikuar tek presidenti i vendit që vëllai i tij të emërohet këshilltar i presidentit të Kosovës.
Siç raporton Express anëtari i Listës Serbe kishte ndikuar tek Hashim Thaçi që Branislav Nikoliq të emërohet në postin e këshilltarit.
Thaçi mori vendim sot që ta shkarkoj Nikoliqin që dyshohet se ishte pjesë e BIA-s.
Zyra e Presidentit në njoftimin për shkarkimin e tij është arsyetuar se nuk kishte qenë në dijeni se Nikoliq kishte qenë në Agjencinë e Inteligjencës së Serbisë (BIA), shkruan Insajderi.
“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës konfirmon se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të z. Branislav Nikolic në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media”.
“Përkundër kësaj, Zyra e Presidentit i merr seriozisht raportimet e mediave për përfshirjen e mundshme z. Nikolic në aktivitete të dyshimta, qofshin ato të natyrës kriminale ose që cenojnë sigurinë kombëtare”.
“Nisur nga parimi i respektimit të ligjit dhe për t’i dhënë hapësirë autoriteteve të sigurisë që të kryejnë hetime të pavarura për këtë rast, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, ka liruar sot nga detyra e Këshilltarit Politik, z. Branislav Nikolic”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Presidentit.
Bratislav Nikoliq kishte qenë anëtar i SLS-së për t’iu bashkuar partisë tjetër serbe në Kosovë, Listës Serbe.