AGK dënon gjuhën fyese ndaj gazetares Paulina Nushi Muhaxhiri

AGK dënon gjuhën fyese ndaj gazetares Paulina Nushi Muhaxhiri

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar gjuhën fyese të doktorit Sejdullah Mahmuti ndaj gazetares Paulina Nushi Muhaxhiri.

AGK-ja ka treguar se ka pranuar një ankesën nga  gazetarja  Paulina Nushi Muhaxhiri për gjuhën fyese dhe denigruese që është përdorur ndaj saj nga doktori Sejdullah Mahmuti.

Gazetarja për AGK-në ka bërë të ditur se me qëllim që artikulli dhe raportimi të bëhet sipas standarde të gazetarisë, kanë kontaktuar doktorin Mahmuti, për të marrë qëndrimin e tij rreth aktakuzës që prokuroria i ka ngritur.

“Përkundër që e patëm aktakuzën ne donim t’i japim mundësin për ta thanë fjalët e vet. Sot në mëngjes më telefonoi, bërtitke, dhe nuk e mora seriozisht deri në momenti kur filloj me thanë që ‘kjo do të kthehet në fëmijët tu’. Ne nuk duhet të trajtohemi në këtë formë, kjo është e papranueshme. Ja shpjegova që ke të drejtën tënde me fol dhe nëse ke ndonjë qëndrim apo reagim mund ta dërgosh në redaksi, ai prapë refuzoi”, tha Nushi Muhaxhiri.

AGK ka kërkuar nga të gjitha palët e përfshira në raportime që të mos ngatërrojnë çështjet e profesionit me ato familjare.

Ata poashtu, kanë kërkuar që  gazetarët të trajtohen me respekt e dinjitet për punën që bëjnë dhe nëse kanë vërejtje t’i drejtojnë ato tek institucionet përgjegjëse.