Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pasi Blerim Vela, Shefi i Kabinetit të Presidentes, Vjosa Osmani, i quajti disa media si të “ish-regjimit Pronto”.
AGK thotë që po i ndjekë me shqetësim “sulmet ndaj mediave” që vinë nga zyra e presidentes.
“AGK konsideron se kjo gjuhë është linçuese dhe që shërben për përhapjen e urrejtes dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë”, thuhet në reagim.
“Duke ardhur nga zyra më e lartë e shtetit, këto veprime të zotit Vela ndikojnë në frikësimin e gazetarëve dhe krijimin e një ambienti të pasigurtë për punën e tyre”.
“AGK-ja e fton Presidenten Osmani që të distancohet dhe të përkujdeset që sulme të tilla të mos përsëriten nga zyra e saj”, mbaron kumtesa.
Blerim Vela, Shefi i Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ftesa e kësaj të fundit nuk paraqet vendim për shtyrjen e zgjedhjeve, por është takim konsultativ.
“Mos përhapni të pavërteta! Takimi ka të bëjë me shqyrtimin e opinionit e rekomandimit të IKSHPK lidhur me procesin zgjedhor”, ka shkruar ai në Twitter.