AGK-ja reagon ndaj bashkëshortit të Osmanit pasi i quajti mediat “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”

AGK-ja reagon ndaj bashkëshortit të Osmanit pasi i quajti mediat “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj Prindon Sadriut, bashkëshort i presidentes Vjosa Osmani, pasi i quajti mediat dhe gazetarët “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.

Nga kjo organizatë kanë thënë se janë të alarmuar me gjuhën “denigruese” të Sadriut.

“Akuzat dhe sulmet që vijnë nga bashkëshorti i Presidentes, që gjithashtu mban post shtetëror në MPJ, shton pasigurinë e gazetarëve në Kosovë. Po ashtu, në ditët e fundit edhe gjuha e zëdhënësve dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet në raport me mediat ka qenë e papranueshme dhe paraqet presion direkt në punën e tyre”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Ndryshe, Prindon Sadriu, në një postim të bërë në Facebook, i ka quajtur gazetarët “përfaqësues të ndërmarrjeve të përbashkëta kriminale”.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu, të martën vonë./Insajderi.com