AGK i reagon menaxhmentit të RTK-së: Distancë nga gjuha denigruese ndaj gazetarëve

AGK i reagon menaxhmentit të RTK-së: Distancë nga gjuha denigruese ndaj gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes rrjetit social ‘Facebook’ ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit në Radio Televizonin e Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar ndaj deklaratave të drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës, Ngadhnjim Kastrati, i cili kishte thënë se gazetarët janë futur në një skenar politik dhe qëllimi i tyre është destabilizimi i RTK’së në prag të fushatës zgjedhore.

AGK është shprehur e shqetësuar nga zhvillimet e fundit në këtë medium, duke dënuar gjuhën denigruese, pasi gazetarët e pakënaqur janë cilësuar si ‘gazetarët politikë’

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim po i përcill zhvillimet e fundit në RTK, me ç’rast nëntë gazetarëve të Dhomës së Lajmeve, sipas informatave nga ana e tyre dhënë AGK-së, po u kërkohet në mënyrë të njëanshme sistemimi në njësi tjera të Televizionit të Kosovës, si rrjedhojë e pakënaqësisë me avancimet e kundërligjshme në mediumin Publik.AGK është tejet e shqetësuar me cilësimet e gazetarëve të pakënaqur si “gazetarë politikë” dhe kërkon nga menaxhmenti i RTK-së të distancohet menjëherë nga cilësimet e tilla.”

AGK ka paralajmëruar se në qoftëse nuk respektohen rregullat atëhere situata e krijuar do të zgjidhet konform drejtës ligjore.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nga afër do t’i ndjek këto zhvillime në mediumin Publik të Kosovës dhe në rast të mos veprimit konform rregulloreve dhe ligjeve në fuqi, do të ndërmerren të gjitha hapat konform mandatit, me qëllim që situata e krijuar të zgjidhet bazuar në të drejtën ligjore të anëtarëve tanë”.

Nëntë gazetarë janë ankuar tek Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati duke i kërkuar të drejtat e tyre duke shkruar letra dhe kërkesa në drejtim të menaxhmentit. Ata kanë njoftuar edhe Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së, Ngadhnjim Kastratin, i cili ende kontestohet prej një pjesë të punëtorëve të RTK-së.