Agron Mustafa përplaset me Milaim Zekën – kërkon largimin e tij nga Komisioni

Agron Mustafa përplaset me Milaim Zekën – kërkon largimin e tij nga Komisioni

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, po interviston ish-kryeshefin e Telekomit, Agron Mustafën.

Mustafa fillimisht ka prezantuar një letër ndaj deputetit Milaim Zeka siç tha ai të deponuar në Agjencinë Kundër Korrupsion dhe në Kuvend.

Ai ka kërkuar largimin e Zekës nga komisioni, pasi sipas Mustafës, Zeka është përfitues e 100 mijë eurove nga Telekomi.

“Milaim Zeka ka interesa personale në Telekomin e Kosovës, i cili ka përvetësua fonde, 100 mijë euro ndër vite. Dhe për këtë arsye për shkak të konfliktit të interesit nuk mund të jetë pjesë e komisionit hetimor deputeti Zeka”, theksoi Mustafa duke shtuar se kjo letër është për shkak të kërcënimeve dhe shantazheve që janë bërë nga Zeka.

Kryesuesi i këtij Komisioni Visar Ymeri i është përgjigjur Mustafës lidhur me këtë çështje, i cili tha se nuk ka të drejtë të kërkoj largimin e Zekës nga komisioni, por janë institucionet e drejtësisë që duhet ta trajtojnë këtë letër.

Deputeti Milaim Zeka, ka reaguar ndaj Mustafës i cili tha se krejt biografia e ish-kryeshefit njihet për rrahje dhe shantazhet që ka bërë me shefat e policisë dhe të tjerë.

“Kurrë nuk kam pasur kontratë në PTK-në, për këtë deklarohet AKK. Unë nuk kam asgjë personale ndaj Mustafës”, tha Zeka.

Ndërsa, pas kësaj Mustafa është duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve dhe aktivitetin e tij si ish-kryeshef i PTK.