Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se do të padisë për shpifje Lidhjen Demokratike të Kosovës, disa orë pasi kjo parti fajësoi publikisht të parin e Prishtinës për dëbimin e banorëve nga banesat e uzurpuara në lagjen Dardania.
LDK përmes një kumtese për medie fajësoi kryetarin e Prishtinës për dëbimin e familjeve nga lagja “Dardania”, prona të cilat konsiderohen si të uzurpuara nga Ndërmarrja Publike Banesore.
“Ky rast paraqet keqtrajtim të banorëve dhe familjeve të tyre. Dega IV e LDK Prishtinë, vlerëson se përgjegjësia politike, morale dhe profesionale, para së gjithash bie mbi Kryetarin e Komunës, z. Shpend Ahmeti”, është thënë në komunikatën e LDK-së.
Lidhur me këtë deklaratë i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ahmetit, i cili ka thënë se do të ngre padinë e tretë për shpifje ndaj LDK-së.
“Të hënën kjo do të jetë padia e tretë me radhë për shpifje”, u shpreh i pari i Prishtinës, raporton Gazeta Online Insajderi.
Ahmeti shpjegon se nuk ka marrë asnjë vendim për dëbimin e këtyre banorëve nga pronat e uzurpuara në lagjen “Dardania” në Prishtinë.