Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti i mbikëqyri punimet tek çerdhja e re që po ndërtohet në Kodrën e Trimave, çerdhe kjo që do të jetë më e madhja në Prishtinë.
“Kjo çerdhe ka kapacitet për 240 fëmijë. Është çerdhja e gjashtë që po e hapim në këto katër vite, me bazë në komunitet, të cilës së shpejti do t’i bashkëngjitet edhe çerdhja në Tophane. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje me hapjen e çerdheve të reja. Do të vazhdojmë ta përmirësojmë edhe më tutje edhe cilësinë e ushqimit, e edhe cilësinë e edukimit në çerdhe”, tha Ahmeti.
Kjo çerdhe do të përfundohet edhe një muaj e gjysmë. Për vitin 2018, Ahmeti tha se ka planifikuar që Prishtina t’i ketë edhe katër çerdhe të reja, në Kolovicë, Bardhosh, Kalabri dhe Veterrnik.
Kryetari Ahmeti vizitoi sot edhe shkollën e re që është afër përfundimit, në lagjen Arbëria.
“Për këtë shkollë kemi pasur për 2 vite masë nga gjykata për ndalimin e punimeve, sepse kur është nisur nga qeverisja e LDK-së, është nisur në një tokë private, pa u definuar mirë në kadastër. Tash na kanë mbetur edhe më pak se 2 muaj punë që të përfundojë ndërtimi i shkollës, me ç’rast do të reduktohet numri i nxënësve në shkollat “Meto Bajraktari”, “Qamil Batalli” dhe “Faik Konica”. Do të jetë një nga shkollat më të mira në Prishtinë, duke marr parasysh që është pranë parkut të lagjes Arbëria”, tha Ahmeti.