Ahmeti e pranon se është tepruar me zhurmën për autobusët

Ahmeti e pranon se është tepruar me zhurmën për autobusët

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas shumë paraqitjeve publike dhe marketingut që i ka bërë blerjes së autobusëve të rinj në Prishtinë, pranon që puna e autobusëve është ekzagjeruar deri në një masë.

Në një intervistë për Kosovo 2.0, Ahmeti pas disa pyetjeve në lidhje me autobusët, është pyetur edhe se mos është ekzagjeruar e gjithë puna e autobusëve. Ahmeti me këtë rast e ka pranuar që është pak për të qeshur gjithë kjo.

“Pak është me kesh që [është viti] 2017 e ne i gëzohemi autobusëve të rinj. Do të ishte mirë në 2017 me u gëzu për tramvaj apo diçka tjetër. Por nuk mundemi prej shkallës së parë me kalu në të 15-ën”, thotë ai.

Por Ahmeti thotë që i kanë ndalur gjërat e këqija dhe i kanë filluar të mirat. Sipas tij janë përmirësuar barazia sociale, janë bërë çerdhe, kanë sjellë autobusë dhe ka ujë.

Në planin e tij për fazë të dytë do të jenë pishina olimpike dhe salla të koncerteve, duke involvuar me këtë rast edhe sektorin privat.

Deri tani kanë ardhur 51 autobusë të cilët janë vënë në qarkullim që nga 17 shkurti i këtij viti. Ndërsa pritet në total 80 të jenë për sektorin publik dhe 80 autobusë për sektorin privat.