Ahmeti në Hajvali: Më shumë zotime, me më shumë asambleistë

Ahmeti në Hajvali: Më shumë zotime, me më shumë asambleistë

Sontë në Hajvali u mbajt tubim me banorët e lagjes, ku përveç kandidatëve për Kuvend Komunal folën edhe Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti si dhe Kryetari i Qendrës së VETËVENDOSJE! në Prishtinë Ylli Hoxha.

Në fjalën e tij të rastit, Shpend Ahmeti tha se për realizimin sa më të lehtë të 100 Zotimeve tona, na duhet shumica në Kuvend Komunal.

“Me vetëm 10 asambleistë që i patëm mandatin e kaluar nga 51 të tillë, realizuam pothuajse të gjitha zotimet. Në mandatin e dytë kemi shumë më shumë zotime, andaj na duhet më shumë asambleistë, në mënyrë që ta zhvillojmë Prishtinën dhe ta pamundësojmë bllokimin. Hajvalia po jep kontrinnut të veçantë në këtë drejtim. Vota e VETËVENDOSJE!-s në Hajvali është trefishuar, dhe po rritet në vazhdimësi, falë angazhimit të secilit prej jush”, theksoi Ahmeti.

Kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Prishtinë, Ylli Hoxha, tha se qeverisja jonë në Prishtinë i ka së paku 3 dallime nga qeverisjet e kujtdo tjetër. “Jemi i vetmi subjekt që iu kemi qëndruar përballë qytetarëve me zotimet tona, dhe kemi mbajtur përgjegjësi, me ç’rast realizuam 11 nga 12 zotimet.

Dallimi tjetër është tek mënyra e menaxhimit të parasë publike, duke kursyer maksimalisht si ekzekutiv dhe duke i orientuar shpenzimet direkt në nevojat e qytetarëve. E dallimi i tretë është mënyra se si trajtohen qytetarët nën qeverisjen tonë, duke i trajtuar si të barabartë pa marrë parasysh pikëpamjet e tyre politike”, tha ndër të tjera Hoxha.