Ahmeti pas vendimit të Qeverisë për masa: Jo mbylljes së Prishtinës me statistika të paqëndrueshme

Ahmeti pas vendimit të Qeverisë për masa: Jo mbylljes së Prishtinës me statistika të paqëndrueshme

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat e reja në luftën kundër pandemisë COVID-19, që pritet të hyjnë në fuqi të premten nga ora 19:00, transmeton Insajderi.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Ahmeti ka thënë se Prishtina me 12 mijë teste të realizuara natyrisht se del me numër më të madh të të infektuarve se sa Ferizaj me 350 teste.

“Sistemi i qeverisë për masa: – Prishtina në zonën e kuqe, e Lypjani e Gracanica zonë e gjelbër thua se jemi qindra kilometra larg. – në qoftë se një komunë nuk e teston askënd, pra nuk ka raste pozitive atëherë është në zonën e gjelbër. Prishtina me 12000 teste natyrisht se ka me dal me numër më të madh se sa Ferizaj me 350 teste”, ka shkruar ai.

Në konferencën e mbajtur sot për media kryeministri Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se në komunat të cilat janë në zonën e kuqe, ku hyn edhe Prishtina, do të lejohet veprimtaria e operatorëve ekonomikë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 19:00. /Insajderi.com