Ahmeti përmend vendimin e ish-ministrit si shkaktar në rritjen e aksidenteve

Ahmeti përmend vendimin e ish-ministrit si shkaktar në rritjen e aksidenteve

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka përmendur  vendimin e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni për heqjen e dënimit me marrje të patent shoferit si shkak i rritjes së aksidenteve në trafik.

Ahmeti ka thënë se numri i aksidenteve është shqetëses për shkak të shpejtësisë së pakontrolluar, por ai ka thënë se duhet të flitet edhe për politikat në trafik.

“Numri i aksidenteve në Kosovë qe një kohë është bërë shqetësues. Shpejtësia e pakontrolluar dhe mospërshtatja ndaj kushteve atmosferike janë shkaqet kryesore që shkruhen në raportet e aksidenteve. Por, duhet të flasim edhe për politikat publike në Kosovë në lidhje me sigurinë në trafik në vitet e fundit. Ka korelacion të ngushtë në mes të dënimeve në trafik dhe numrit të aksidenteve. Por jo vetëm të shkrimit të dënimeve por pagesave të dënimeve”, ka shkruar ai.

Ahmeti ka përmendur vendimin e ish-ministrit Hyseni i cili kishte tërhequr dënimin me marrje të pantet shoferit, ku sipas tij menjëherë ishte rritur numri i aksidenteve.

“Mund t’i shikoni numrin e aksidenteve në kohën kur në zbatim ishte politika e marrjes së patentshoferit deri në pagesë, dhe pas largimit të kësaj politike. Me një vendim të minsitrit të Punëve të Brendshme Skender Hyseni, për shkak se vlerësohej se ishte kundër të drejtave të njeriut, u hoq marrja e patent shoferit dhe vetëm shkruhej dënimi. Vetëm në Prishtinë, para vendimit dënimet paguheshin mbi 70 përqind në javën e pare pas dënimit, pas vendimit, pagesa në javën e pare ra nën 5 përqind. Numri I aksidenteve u shtua menjëherë në mënyrë drastike”.

“Siç e shihni as ligji I ri me rritjen e dënimeve nuk e ka efektin e duhur sepse ndryshimi ndodhë te pagesa. Rrallë ka polic që shkruan denim 900 euro për shpejtësi, thjeshtë është shumë vështirë ta dënosh në Kosovë dikënd me 900 euro”, ka shkruar ai.

Ahmeti po ashtu ka paralajmëruar se si masë për ndalimin e aksidenteve në komunikacion do të vendosën edhe kamerat e trafikut.

“Ne kemi marrë letër edhe nga Avokati I Popullit se dokumentet nuk mund të merren si peng për pagesë të dënimeve, por në qoftë se nuk gjendet mënyrë e pagesës së shpejtë të dënimeve, shpejtësia dhe shkeljet në trafik do të jenë edhe më të shpeshta”.

“Në vjeshtë, Komuna e Prishtinës do të fillojë me kamerat e trafikut dhe dënimet automatike. Dënimet do ti mbledhim me përmbarues dhe jemi përkrahës edhe të politikës që të mos lejohet regjistrimi I veturës me dënime të papaguara nga viti i kaluar. Jeta e njeriut është prioriteti kryesor”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e tij në Facebook.