Ahmeti: Siguria energjetike është çështje e asaj nacionale

Ahmeti: Siguria energjetike është çështje e asaj nacionale

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se siguria energjetike është e lidhur me çështjen e sigurisë nacionale.

Ahmeti theksoi se debati ndaj gazit është shtruar gabim, duke thënë se kostoja është e nënvlerësuar pasi përfshinë rëndësinë e sigurisë.

“Dështimi i termocentralit të ri dhe refuzimi i shtrirjes së gypave për gaz në gjithë Kosovën, na bën të varur në përqindje të rrezikshme nga energjia elektrike nga Serbia ose përmes Serbisë që e bën Serbinë me fuqi të panevojshme në Kosovë”, ka thënë Ahmeti në Facebook.

“Projekti i gazit nuk ishte për blerjen e gazit por parashihte shtrirjen e infrastrukturës për gaz në krejt Kosovën që të na jep mundësinë të vendosim se a blejmë gaz apo energji nga burimet tjera”.

“Projekti përfshinte një grant 200 milion nga SHBA e 97 milion kredi nga BERZH”.

“Kjo mundësi është humbur. Tash në qoftë se duam të bëjmë të njëjtën gjë do të jetë shume e shtrenjtë dhe goxha e vështirë me u lidh me TAP. Gasi kushton më lirë se qymyri, ka rezerva të mjaftueshme si dhe ka mesatarisht 50 për qind më pak emitime të gazeve se qymyri”.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të premten se “Kosova nuk ka hequr dorë nga projekti i gazit, por ka kërkuar më shumë kohë për ta vendosur”.

Gjatë një interviste për “REL”, Bislimi e kritikoi opozitën për mënyrën sesi i është qasur kësaj teme, duke thënë se “janë në drejtim të zhdukjes”.

“Nuk ka asnjë problem me partneritetin me Amerikën, dakordimi me MCC-në po vazhdon, ka bashkëpunim e ide të rialokimit të mjeteve”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

“Nuk po flasim këtu për një investim 300 mijë euro apo 500 mijë euro, por jemi duke folur për investime të qindra miliona eurove, dhe këtu nuk mund të bëhen gabime të vogla, mund të bëhen vetëm gabime të mëdha”.

“Ajo që ne kemi thënë është që tranzicioni është i gjatë, tranzicioni është i kushtueshëm. Ne e kemi për obligim që në periudhën e tranzicionit të energjisë, të garantojmë vazhdimësi, qëndrueshmëri dhe energji me çmime të përballueshme për qytetarët”.

Ai shtoi gjatë këtij viti, çmimi i gazit në tregun evropian është trefishuar.

“Kjo tregon që nevoja për qeverinë që të jetë sa më e kujdesshme në projekte të tilla të jetë edhe më prezentë”. /Insajderi.com