Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imri Ahmeti, ka deklaruar se çështja e klaneve në partinë ku bën pjesë është prodhim mediatik dhe prodhim i njerëzve që nuk ia duan të mirën këtij subjekti politik, transmeton Insajderi.
Ahmeti duke komentuar zgjedhjet e brendshme në LDK, ka thënë se nuk sheh klane, por sheh dhe inkurajon konkurrencën e lirë në mënyrë që delegatët ta kenë mundësinë e përzgjedhjes së kryetarit.
“Tani a do të jenë a jo zgjedhje demokratike janë hipoteza ose presupozime të njerëzve, do ta shohim me kohë këtë situatë kur të mbahet kuvendi. Për ndryshe sigurisht që njerëzit kanë afërsi mes vete por edhe mund të kenë pikëpamje dikush më të afërta, dikush më të largëta më njëri-tjetrin, por çështja e klaneve është prodhim mediatik dhe është prodhim i njerëzve që nuk ia duan të mirën LDK-së. Unë nuk shoh që ka klane, por unë shoh dhe inkurajoj konkurrencën e lirë të njerëzve, në mënyrë që vërtetë delegatët ta kenë mundësinë e përzgjedhjes së kryetarit” ka thënë ai, raporton KP.
Derisa foli për emrat që janë përfolur për kryetar të LDK-së, Ahmeti thotë se të gjithë janë adekuatë për ta drejtuar LDK-në.
“Janë të gjithë adekuat, është çështje tjetër cilin mund ta mbështesim dhe cilin ta votojmë, përndryshe janë të gjithë adekuat…unë angazhohem për një konkurrencë të mirëfilltë dhe angazhohem për mundësi në votimin e kuvendin e përgjithshëm të partisë, do të thotë jam për mundësinë që njerëzit lirshëm të kandidohen dhe gjithë delegatët e kuvendit zgjedhor, ta kenë mundësinë e zgjedhjes të njeriut që do të marrë përsipër përgjithësinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës” tha ai.
Ahmeti është pyetur po ashtu nëse sërish do të jetë kandidatë për kryetar të Lipjanit në zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen në tetor të këtij viti, por ka thënë se ende nuk e di dhe kjo do të dihet me kohë.
Zgjedhjet për kryetar të ri të LDK-së do të mbahen më 14 mars ndërkohë që deri më tani janë përfolur disa kandidatë si emra të mundshëm për të marrë timonin e partisë në mesin e të cilëve: Anton Quni, Lumir Abdixhiku dhe Kujtim Shala. /Insajderi.com