Ahmeti tregon si do të funksionojnë tash e tutje parkingjet publike në kryeqytet

Ahmeti tregon si do të funksionojnë tash e tutje parkingjet publike në kryeqytet

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook ka treguar se si do të funksionojnë parkingjet në kryeqytet pasi të fillojë punën ndërmarrja “Prishtina Parking”, njofton Insajderi.

“20 kontrollorët e parë, pjesë e stafit të ndërmarrjes ‘Prishtina Parking’ janë në proces të përfundimit të trajnimit, në mënyrë që të fillojnë punën në terren qysh javën e ardhshme”, shkruan Ahmeti.

Rrugët “Fehmi Agani” dhe “Rexhep Luci” janë dy rrugët e para ku do të fillojë implementimi i vendparkingjeve publike me pagesë, për të u zgjeruar gradualisht në të gjithë qytetin.

Këto parkingje do të kenë disa mundësi të pagesës, me aplikacion, SMS, biletë dhe pajisje.

“Kohëzgjatja maksimale për parkim për qytetarët jorezidentë të këtyre lagjeve është dy orë dhe pagesa kalkulohet me minutat e kohëzgjatjes së parkimit”.

Kurse banorët rezidentë të lagjeve kanë përparësi.

Ata mund të parkohen për 24 orë dhe kanë pagesa mujore.

Mospagesa e tarifës rezulton me bllokim të veturës, dënimin prej 25 EUR dhe shpenzimet e merimangës.

Ky projekt do të ndihmojë menaxhimin më efikas të parkingjeve publike dhe kohës së qytetarëve sepse përmes aplikacionit do të keni informata në kohë reale se cilat vendparkingje janë të lira për shfrytëzim në zonën ku jeni./Insajderi.com