Ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, ka reaguar pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti, në seancën plenare të së hënës, tha se liberalizimi i vizave nuk po bëhet pasi është dëmtuar imazhi i vendit, njofton Insajderi.
Në një postim në Facebook, Dërguti ka thënë se kjo nuk është e vërtetë pasi sipas saj, shansin e liberalizimit Kosova e ka humbur me mosvotimin e demarkacionit gjatë qeverisjes së koalicionit LDK-PDK.
“Nuk është e vërtetë se nuk kemi liberalizim të vizave për shkak të imazhit. Shansin e liberalizimit e kemi humbur me mosvotim të demarkacionit gjatë qeverisjes së koalicionit LDK-PDK, kur na ofrohej që të futeshim në pako (për votim në BE) me Gjeorgjinë dhe Ukrainën dhe në këtë mënyrë detyroheshin edhe pesë shtetet mosnjohëse të na votonin. Votat e opozitës për demarkacion nuk ishin të nevojshme, ama të grupit kundërshtues brenda LDK ishin të domosdoshme”, ka shkruar ajo.
Tutje, Dërguti është shprehur se “Votimi i demarkacionit gjatë Qeverisë Haradinaj ishte si kofini pas të vjelave”./Insajderi.com