AKI ende pa drejtor, ekspertët e konsiderojnë problematike për sigurinë

AKI ende pa drejtor, ekspertët e konsiderojnë problematike për sigurinë

Ka afër 5 muaj që Agjencia Kosovare e Inteligjencës  është pa drejtor, përkundër faktit që ligji parasheh që kjo pozitë nuk guxon të mbetet vakante për një periudhë kohore me të gjatë se 20 ditë, njofton Insajderi.

Deri te kjo situatë ka ardhur pasi është shkarkuar nga pozita e drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashi, raporton RTV Dukagjini.

Ndërkohë sa ishte në krye të qeverisë Avdullah Hoti dhe në presidencë Vjosa Osmani, nuk ishte arritur një dakordësim për emërimin e drejtorit të AKI-së, përkundër që Hoti kishte bërë një propozim.

Tash që qeveria ka ndryshuar, AKI-ja vazhdon të mbetet pa drejtor pavarësisht se ka premtime se shumë shpejt kjo çështje do të zgjidhet.

“Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë shtuar konsultimet dhe shumë shpejt do të emërohet drejtori i AKI-së”, deklaroi Përparim Kryeziu.

Por këto vonesa, si problematike po i sheh eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi, përcjell Telegrafi.

“Mungesa aq e gjatë e drejtorit të AKI-së ka ndikuar edhe në punën e shërbimit. Kjo mungesë është handikap për sigurinë e Kosovës për arsye se ne jemi dëshmitarë të ballafaqimit të përditshëm me rreziqe që e kërcënojnë rajonin por edhe Kosovën”.

Në vitet e fundit asnjëri nga drejtorët e AKI-së nuk e ka përfunduar mandatin e  paraparë me ligj./Insajderi.com