AKK heton formularin e profesorit që deklaroi se merr pagë 71 mijë euro nga UP-ja

AKK heton formularin e profesorit që deklaroi se merr pagë 71 mijë euro nga UP-ja

Agjencia Kundër Korrupsion, ka filluar verifikimin e deklarimit të profesorit të Universitetit të Prishtinës, Beqir Sadikaj, i cili ka shkruar si të hyra  pagë prej 71 mijë euro.

Afrim Atashi, Drejtor i Departamentit për Parandalimin e Korrupsionit në AKK, tha për Insajderin se në dokumentacionin e dërguar në këtë institucion Sadikaj, në hapësirën e të hyrave, e ka deklaruar pagën plus detyrimin ndaj një banke.

“Sadikaj vet e ka deklaru ashtu 71 mijë euro-edhe pagë edhe detyrim ndaj bankës. I vetmi gabim i joni është që kur ai në formularin origjinal e ka përmend që është edhe paga edhe kredia, ne në formularin e publikuar online e kemi shkrua vetëm paga”, tha Atatshi.

Atashi thotë se tanimë kanë filluar ta verifikojnë si rast, pasi që nuk dihet sa pse i ka deklaruar në këtë mënyrë.

“Ne do të bëjmë edhe kontrollin paraprake, do i dërgojmë shkresa zyrtarit që ta qartësojë më mirë se nuk dihet tash sa është pagë e sa është kredi”, tha ai.

Sadikaj, të rubrika e të hyrave ka shkruar si pagë të rregullt 71 e 824 euro si dhe 6 mijë e 945 euro honorarë nga universiteti “Haxhi Zekaj” Pejë, si një kredi tjetër në vlerën e 29 mijë eurove.

I kontaktuar nga Insajderi, Sadikaj tregoi pse ka deklaruar 71 mijë euro si pagë.

“Ajo ku shkrun 71 mijë janë kredi  se kur e kam  marrë dokumentin nga banka për një vit të plotë ata s`kanë ba selektim i kanë fut edhe kreditë aty”, tha ai.

Por kur u pyet sa është paga e plotë që ka marrë nga UP, ai  nuk e tregoi saktë atë.

“71 mijë euro nuk është as paga e Klintonit- unë në muaj nga UP marrë pagë sa krejt që është dikun  1400 euro kështu nuk e di saktë sa është. Por janë dy kredi që i kam marrë, brenda gjashtë muajve e ato janë ngatërru në bankë.”, tha ai.

Por Sadikaj, konfirmoi se nga universiteti Haxhi Zeka në Pejë merr honorarë në vlerën prej 6 mijë e 945 euro.

“Honorari ai është i saktë se janë mbledh qaty se si paguajnë me rregullt çdo muaj“, tha Sadikaj. /Insajderi.com