AKK jep sqarim për rastin e Arta Rama-Hajrizit dhe Xhavit Halitit: Nuk kemi bërë asnjë lëshim

AKK jep sqarim për rastin e Arta Rama-Hajrizit dhe Xhavit Halitit: Nuk kemi bërë asnjë lëshim

Agjencia kundër Korrupsionit, ka dalë me një sqarim rreth publikimit të regjistrave të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publik, shkruan Insajderi.

AKK thekson se i gjithë procesi i pranimit të formularëve të deklarimit të pasurisë nga Agjencia është bërë në formën elektronike si dhe përmes postës.

Lidhur me të dhënat e pasurisë të ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, AKK thotë se nuk ka bërë kurrfarë lëshimi sa i përket publikimit të të dhënave të deklaruara nga subjekti në fjalë.

“Sa i përket publikimit të deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë publik  Arta Rama-Hajrizi, formulari i deklarimit të pasurisë së dorëzuar në Agjenci është identik me të dhënat e publikuara në ueb faqen zyrtare të Agjencisë, e që nënkupton se Agjencia nuk ka bërë kurrfarë lëshimi sa i përket publikimit të të dhënave të deklaruara nga subjekti në fjalë”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sa i përket deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë public, Xhavit Haliti,ka thënë së nuk ekziston asnjë lëshim apo gabim nga ana e Agjencisë.

“Në rastin konkret, deklarimi i pasurisë për zyrtarin e lartë  Haliti ende nuk ka qenë publik në kohën kur është publikuar lajmi në media lidhur me të dhënat e zyrtarit, pasi që regjistri i deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë  Xhavit Haliti është publikuar në orën 10:59 datë 29.01.2021, ndërsa lajmi në media është publikuar në mëngjesin e të njëjtës datë. Kjo nënkupton se regjistri i deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë Haliti, është bërë publik pas pranimit të informatës”, thuhet më tej në njoftim.

Ish-kryetarja Rama-Hajrizi gjatë ditës së marte ka thënë se ajo nuk i ka 6 milionë euro por 6 mijë në bank dhe sipas saj, kjo ka ndodhur pas një lëshimi në formular, ndërsa Haliti ka deklaruar se nuk i ka nëntë vetura dhe se kjo agjenci ia ngatërroi të dhënat e pasurisë së përbashkët familjare me atë të ish-deputetit Xhavit Ukaj./Insajderi.com