AKK nuk gjobiti laboratorin privat që bëri testet për COVID-19 nga 200 euro

AKK nuk gjobiti laboratorin privat që bëri testet për COVID-19 nga 200 euro

Autoriteti i Konkurrencës nuk ka gjobitur laboratorin privat i cili kishte lëshuar teste me çmim prej 200 eurove për testim të Coronavirusit, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, i cili tha se nuk ekziston më shërbimi 200 euro në laboratorin “Medical & Laboratory Services” në Prishtinë, ku bëhen teste virologjike me metodën PCR për COVID-19, megjithatë ky laborator nuk është gjobitur.

“Testi serologjik bëhet edhe nëpër QKMF dhe tanimë është një treg tejet i liberalizuar, i monitoruar mirë nga AKK dhe shqetësimet eventuale mund të ketë, por çdo gjë është nën kontrollin e shtetit. Te pjesa e testit 200 euro, ka ndodhë vetëm me katër teste që për to është bërë një reagim që ndoshta ka qenë me vend, por laboratori përkatës ka bërë 99.7për qind të testeve tjera që kushtojnë 65 euro, ndërsa vetëm katër që kushtonin 200 euro. Sipas informatave të fundit, ky institucion nuk e aplikon më këtë çmim(shërbim) për shkak të presionit të madh qytetarë, mediatik dhe shtetëror. Pra, nuk ekziston mundësia më që të bëhet pagesa 200 euro. Arsyetimi i tre ka qenë sepse ky test ka të gjitha karakteristikat e njëjta sikur siç RT-CPR, por ajo çka ndryshon është që në kohën reale jep rezultatin ose brenda 2 ore. Kjo ka qenë që e ka bërë të ngritët kosto, por meqenëse ka pasur vetëm katër teste dhe nuk e ka çrregulluar tregun dhe nuk ka hapësirë ligjore që t’i shqiptohet gjobë këtij institucioni”, theksoi Prestreshi.

Autoriteti ka hetuar edhe sektorin e sigurimeve, më konkretisht, objekt i shqyrtimit ka qenë të analizohen pretendimet lidhur me kufizimin e konkurrencës së lirë përmes ndarjes së tregut ndërmjet operatorëve apo kompanive të sigurimeve.

Për këtë Prestreshi tha se nga analizat e bëra, konstatohet se ka të bëjmë me një treg të rregulluar, ku çmimet e produktit janë unifikuar, e që i bie se mungon presioni konkurrencës ndërmjet kompanive. /Insajderi.com