Drejtues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) kanë deklaruar se nuk kanë gjetur ndonjë parregullsi në laboratorët privatë të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë për testimet e virusit SARS CoV-2, njofton Insajderi.
Muhamet Krasniqi, anëtar i Komisionit në konferencën e sotme të mbajtur për media lidhur me monitorimin e çmimeve për testimet, theksoi se nga 118 laboratorë të licensuar, bazuar në informatat që kanë, nuk kanë arritur të identifikojnë ndonjë sjellje e cila ngre dyshimin për fiksim të këtyre shërbimeve apo bashkërendim të aktiviteteve mes operatorëve që mund të bien ndesh me Ligjin e konkurrencës.
“Pas vendimit të Bordit për licencim të institucioneve private shëndetësore për shërbimet e testimeve për Sars-Cov-2, Autoriteti i Kosovar i Konkurrencës është zotuar se do të jetë i pa kompromis në luftën për evitimin e devijimeve të sjelljeve korrekte në treg. Nga të dhënat e siguruara deri më tani janë gjithsejtë 118 laboratorë të licencuar për kryerjen e testimeve për virusin Sras-Cov-2 në Kosovë. Bazuar në informatat që i kemi mbledhur, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të identifikojë ndonjë sjellje e cila ngre dyshim për fiksimin e çmimeve të këtyre shërbimeve apo bashkërendim të aktivitetit mes operatorëve të cilët mund të bien ndesh me ligjet e konkurrencës. Pra, kemi të bëjmë me një treg që po funksionon mirë së paku deri tash. Po ashtu ka edhe një treg të liberalizuar”, tha Krasniqi.
Po ashtu në këtë konferencë Rizah Arifi kryesues i Grupit Punues për monitorimin e laboratorëve privatë tha se AKK nuk ka pranuar asnjë ankesë nga qytetarët për ndonjë parregullsi për laboratorët privat që kryejnë testime për koronavirus.
“Lidhur me licencimin e këtyre laboratorëve nga Ministria e Shëndetësisë nuk kemi asnjë ankesë nga qytetarët e Kosovës për ndonjë parregullsi për këtë çështje”, theksoi Arifi. /Insajderi.com