Asociacioni i Komunave të Kosovës ka marrë vendim që kryetarët e komunave të mos marrin pjesë në takimin e së martës të ftuar nga kryeministri, Albin Kurti, njofton Insajderi.com.
Përmes një postimi, AKK ka bërë të ditur se e ka marrë këtë vendim për shkak të largimit “në mënyrë arbitrare të përfaqësimit të tyre në Komitetin anti-COVID”.
Po ashtu, bëhet e ditur se edhe mos lejimi i shqyrtimit të buxhetit komunal dhe mospërgjigjet e ministrive të linjave ndaj kërkesave të Komunave, kanë bërë që të merret ky vendim.
“Bordi vlerëson se ky veprim do ta bënte qeverinë që t’i thërriste mendjes që t’i trajtoj Kryetarët e Komunave me më shumë seriozitet në marrjen e vendimeve që prekin komunat. Po ashtu Bordi vlerëson se kjo është edhe mungesë e konsultimit paraprakë për organizimin e takimeve të tilla serioze me kryetarët e komunave”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e AKK-së.
Ndryshe, Shqip.com, ka marrë vesh sot nga burimet se kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Kurti.
Kurse, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në një prononcim për Shqip.com, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në këtë takim./Insajderi.com