
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) njofton opinionin e gjerë publik se Bordi i Drejtorëve të Agjencisë në mbledhjen e mbajtur me datë 25 qershor 2018 mes tjerash ka vendosur edhe për transferimin e “Fondeve të Mbetura” të likuidimit në vlerë prej 42 milionë e 159 mijë e 638.15 euro në Fondin e Republikës së Kosovës.
“Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte identifikuar një numër të ndërmarrjeve shoqërore dhe të aseteve në të cilat edhe pasi janë përmbushur të gjitha kërkesat e vlefshme të kreditorëve (përfshirë ruajtjen e fondeve rezervë sipas nenit 42 të Shtojcës së Ligjit të AKP-së për ankesat e regjistruara në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës – DhPGjSK apo për shpenzimet e ardhshme të likuidimit), kanë mbetur ende fonde”, thuhet në njoftim.
“Bazuar në ndryshimet e reja ligjore të parapara në nenin 2.6 të Ligjit nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 06/L-023, Ligjin nr. 05/L-80 dhe Ligjin nr. 04/L-115, këto fonde janë bartur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës, në një llogari të veçantë në Thesarin e Kosovës”, sqarohet më tej në njoftimin e AKP-së.
Përveç këtyre fondeve, Agjencia kishte bartur fonde tepricë edhe më parë në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës dhe atë në korrik të vitit 2012 në vlerë prej 28,9 milionë eurove dhe në dhjetor të vitit 2015 në vlerë prej 61,3 milionë euro.
“Prandaj, vlera e tërësishme e fondeve të bartura nga Agjencia në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës që nga fillimi i procesit të likuidimit deri më tani ka arritur shumën prej 132.3 milionë euro”, përfundon njoftimi i AKP-së./Insajderi.com