AKP ia prish planet biznesmenit që tentoi të hapë klub striptizmi në Hotelin Grand

Agjencia Kosovare e Privatizimit ia ka prishur planet Dodë Ricës, pasi biznesmeni që merret me klube të natës tentoi që në mënyrë të dyshimtë të hapte një klub të striptizmit në qendër të Prishtinës, gjegjësisht në bodrumin e Hotelit Grand. AKP-ja ka pezulluar procedurën për dhënien me qira të hapësirës në Hotelin Grand, pasi biznesmeni Rica nuk ka treguar çfarë aktiviteti do të ushtrojë aty.

AKP ia prish planet biznesmenit që tentoi të hapë klub striptizmi në Hotelin Grand

Me shpërndarje të fletushkave dhe njoftime në rrjetet sociale gjatë ditëve të fundit është paralajmëruar hapja e një klubi të striptizmit në bodrumin e Hotelit Grand në Prishtinë.

Insajderi ka vizituar të enjten Hotelin Grand në Prishtinë për të parë nëse në bodrumin e hotelit janë duke u zhvilluar punime për hapjen e lokalit të striptizmit “Shqiponja”.

Por në hapësirën të cilën lokali i striptizmit “Shqiponja” ka arritur ta marrë me qira nga AKP-ja, dera e hapësirës ku ishte planifikuar hapja e lokalit të striptizmit ka qenë e mbyllur.

Punëtorë të sigurimit në Hotelin Grand i kanë thënë Insajderit se në hapësirën ku ishte planifikuar hapja e lokalit të striptizmit, ka dy ditë që janë ndalur punimet. Kanë thënë se vendimi është marrë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), raporton Insajderi.

Ndërkohë, pronari i klubit të striptizmit “Shqiponja”, Dodë Rica, nuk ka pranuar të flasë lidhur me planifikimet për hapjen e lokalit të striptizmit në qendër të Prishtinës. Përmes telefonit, Rica i ka thënë Insajderit se për biznesin e tij “nuk ka pse t’i interesojë asnjë njeriu”.

“Për çfarë të intereson ty kjo gjë? Janë ca gjëra që ty nuk kanë çfarë të interesojnë dhe nuk i interesojnë asnjë njeriu”, ka thënë Dodë Rica, pronar i rrjetit të lokaleve të striptizmit “Shqiponja”.

Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit kanë thënë se pronari i klubit të striptizmit “Shqiponja”, Dodë Rica, ka aplikuar si person fizik për marrjen me qira të hapësirës në Hotelin Grand, në një tender që AKP-ja kishte hapur më 17 dhjetor – në të cilën kishin aplikuar 6 ofertues.


Prej dy ditësh, në hapësirën ku ishte planifikuar hapja e lokalit të striptizmit nuk janë duke u zhvilluar punime

Ylli Kaloshi, zëdhënës në AKP, i ka thënë sot Insajderit se pasi biznesmeni Rica kishte fituar tenderin për marrjen e qirasë së hapësirës në bodrumin e Hotelit Grand, agjencia ishte njoftuar lidhur me veprimtarinë e mundshme që do të ushtrohej në atë hapësirë të Hotelit Grand.

“Në lidhje me hapësirën në fjalë që është pjesë e Hotelit Grand, tenderi për dhënie me qira është shpallur me datën 17 dhjetor 2018 dhe për hapësirën në fjalë ka pasur 6 ofertues, ndërsa oferta me çmimin më të lartë ka qenë ofertë personit fizik. AKP nuk kërkon nga palët se çfarë veprimtarie ka planifikuar të ushtroj ai”, ka thënë Kaloshi për Insajderin.

“Në lidhje me hapësirën në fjalë që është pjesë e Hotelit Grand, tenderi për dhënie me qira është shpallur me datën 17 dhjetor 2018 dhe për hapësirën në fjalë ka pasur 6 ofertues, ndërsa oferta me çmimin më të lartë ka qenë ofertë personit fizik dhe jo e personit juridik. AKP sipas Rregullores për Qiradhënie nuk kërkon nga palët se çfarë veprimtarie ka planifikuar të ushtroj ai”, ka shpjeguar Kaloshi.

Disa ditë pasi pronari i klubit të striptizmit “Shqiponja” fitoi tenderin e shpallur nga AKP-ja, agjencia i ka kërkuar sqarim me shkrim Dodë Ricës në lidhje me veprimtarinë që do të ushtrohet në bodrumin e Hotelit Grand. Mirëpo, AKP ende nuk ka marrë përgjigje për këtë çështje.

Si pasojë e kësaj, AKP ka marrë vendim që të pezullojë procedurën për qiradhënie.

“AKP ende nuk ka ndonjë njoftim nga pala për llojin e veprimtarisë që planifikon ta ushtroj dhe deri në sqarimin e plotë të situatës do ta pezulloj procedurën e qiradhënies”, ka thënë Ylli Kaloshi.

“Edhe pse AKP nuk ka ndonjë përgjegjësi e as kompetencë ligjore për dhënie të licencave apo të lejeve për veprimtari biznesore, Agjencia Kosovare e Privatizimit siguron opinionin publik se nuk është e gatshme të ofroj hapësirat që i administron për çdo lloj veprimtarie që krijon shqetësim të qytetarëve”, ka thënë zyrtari për komunikim me media i AKP-së.

Ndonëse është planifikuar hapja e klubit të striptizmit “Shqiponja” në Prishtinë, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) nuk rezulton të jetë regjistruar hapja e klubit të striptizmit në Komunën e Prishtinës.

Në ARBK figuron i regjistruar i njëjti klub i striptizmit, por ky klub – i cili funksionon në kaudër të rrjetit të klubeve “Shqiponja” – është regjistruar në vitin 2017 nga Dodë Rica dhe vazhdon të zhvillojë aktivitet në magjistralen Prishtinë – Lipjan, raporton Insajderi.

Disa ditë më parë, nga biznesi i striptizmit “Shqiponja” janë shpërndarë fletushka që paralajmëronin hapjen e klubit të striptizmit në Prishtinë. /Insajderi.com