Kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj, po tregohet i pafuqishëm edhe përballë Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kjo Agjenci po vazhdon të mos e zbatojë një vendim të Qeverisë për t’i ndalur privatizimin e tokave bujqësore.
Në këtë mes është përfshirë edhe Presidenti Hashim Thaçi i cili ka dalë kundër Qeverisë dhe pro AKP-së.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka paralajmëruar masa ndaj Bordit të AKP-së që i përfundon shpejt mandati.
Qeveria e udhëhequr prej Ramush Haradinajt ka dështuar të detyrojë Agjencinë Kosovare të Privatizimit për të ndalur privatizimin e tokave bujqësore, ani pse, vendimin për këtë stopim e ka marrë më 10 tetor.
“Obligohet AKP që të zbatojë vendimin në përputhje me Legjislacionin në fuqi”, thuhet në vendimin obligues të Haradinajt dërguar AKP-së.
Sponsorizuesi i vendimit për të ndalur privatizimin, ministri Bajram Hasani, ka thënë se do të marrin masa nëse AKP vazhdon të mos e zbatojë vendimin e Qeverisë.
“Ndonëse në AKP kanë këmbëngulur për moszbatimin e këtij vendimi, unë mendoj se ata duhet ta zbatojnë këtë vendim, sepse jo vetëm AKP, por të gjitha institucionet duhet të punojnë konform planit të Qeverisë dhe t’i zbatojë politikat e saj”, ka thënë Hasani për Express.
Ministri Hasani ka treguar se AKP s’e ka zbatuar vendimin as për ndaljen e valës së fundit të privatizimit të tokave bujqësore.
“Unë jam shumë i shqetësuar, MTI i ka dërguar letër prapë AKP-së që ta zbatojë vendimin dhe të anulojë valën e fundit të privatizimit”, thotë Hasani.
Sipas tij, vendimi për pezullimin e privatizimit të tokave është marrë me qëllimin më të mirë që investitorëve strategjikë t’u krijohen mundësi investimi, ka shtuar ai.
Ndërkohë, AKP nuk është përgjigjur se a ka bazë ligjore vendimi i Qeverise për ndaljen e privatizimit të tokave bujqësore. Por kanë dhënë përgjigje përgjithësuese. Kanë thënë se janë duke u munduar të gjejnë një modalitet për zbatimin e vendimit të Qeverisë duke respektuar mandatin e AKP-së.
“…Agjencia ka mbajtur disa takime me përfaqësues të Qeverisë, ku si temë diskutimi ka qenë koordinimi i veprimeve me qeverinë dhe gjetja e një modaliteti për zbatimin e këtij vendimi, por duke pasur parasysh mandatin e AKP-së. Për më tepër, AKP ka shprehur edhe më herët gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me qeverinë për të siguruar që asetet të cilat mund të konsiderohen atraktive për investitorë strategjikë të mos privatizohen pa konsultime paraprake”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
Më tej në përgjigje thuhet se do të koordinohen me Qeverinë për inicimin e privatizimeve të reja dhe shitjen e aseteve.
Presidenti kundër Qeverisë, pro AKP-së
Zyrtarë të Presidencës së Kosovës kanë konfirmuar një takim që Hashim Thaçi ka zhvilluar me anëtarët e Bordit të Agjencisë së Privatizimit. Në këtë takim Presidenti kishte përkrahur idenë e AKP-së që mos të ndalet privatizimi me vendimin e Qeverisë.
“Presidenti ka thënë se AKP duhet të veprojë vetëm sipas ligjit”, ka thënë një zyrtar i Presidencës.
Ndërkohë, edhe AKP e ka konfirmuar takimin e anëtarëve të Bordit me Presidentin. Kanë thënë se me Hashim Thaçin kanë folur për rritjen e zhvillimit ekonomik përmes privatizimit. Nuk janë përgjigjur se cili ka qenë qëndrimi i Presidentit për vendimin e Qeverisë për ndaljen e privatizimit të tokave bujqësore.
“Agjencia mban kontakte të rregullta me të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës, pra edhe me Institucionin e Presidentit të Republikës së Kosovës në përpjekjet dhe angazhimin për të arritur efektet maksimale në zhvillimin ekonomik të vendit përmes procesit të privatizimit”, thuhet më tej në përgjigjen e AKP-së për Express.
Edhe në mbledhjen e Qeverisë, kur është miratuar vendimi për ndaljen e procesit të privatizimit të tokave bujqësore, ka pasur kundërshtime nga ana e ministrave të PDK-së.
Më herët, në Qeverinë e kaluar, ishte propozuar që të hartohej një Ligj i cili do t’i bënte prona të shtetit të gjitha tokat bujqësore të paprivatizuara. Prej pasluftës deri tash janë privatizuar diku rreth 28 mijë hektarë tokë bujqësore.