AKR-ja thotë se Sefaj mori urdhër nga lart për të arrestur Gylenistët

AKR-ja thotë se Sefaj mori urdhër nga lart për të arrestur Gylenistët

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq që jetonin në Kosovë të dyshuar nga shteti turk si “terroristë të lëvizjes së Fetullah Gulen” ka shkaktuar tërmet në Qeverinë e Kosovës, pasi për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Kryeministri Ramush Haradinaj, i ka kërkuar shefit të Agjencisë Kosovare për Intelegjencë, Driton Gashi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefa që vjen nga radhët e AKR-së.

Por teksa shkarkimin ose dorëheqjen e shefit të AKI-së duhet ta nënshkruaj presidenti i vendit, ministrin Sefaj mund ta shkarkojë direkt kryeministri, ani pse siç ka raportuar Insajderi, shkarkimi i tij ende nuk ka ndodhur pasi janë duke u sqaruar disa gjëra.

Ministri Sefaj ende nuk ka dhënë dorëheqje, pret sqarime nga Haradinaj

Në marrëveshjen për koalicionin qeverisës në mes të PAN-it dhe AKR-së, emërimin dhe shkarkimin e ministrave që vijnë nga AKR-ja mund ta bëjë vetëm Behgjet Pacolli, si lider i kësaj partie.

Një gjë e tillë është e theksuar në pikën 5 të marrëveshjes në mes të AKR-së dhe PAN-it, për t’iu bashkuar koalicionit qeverisës.

Pika 5 e marrëveshjes në mes PAN-it (PDK-AAK-NISMA) dhe AKR-së, thuhet se emërimi dhe shkarkimi i ministrave që vijnë nga AKR duhet ta bëjë vetëm kryetari i kësaj partie, Behgjet Pacolli, e jo kryeministri Ramush Haradinaj, raporton Insajderi.

“Me kërkesë të liderit të AKR-së emërohen dhe shkarkohen të gjithë kuadrot që burojnë nga kjo marrëveshje e që janë përfaqësues të AKR-së sikundër janë ministrat, zëvendësministrat etj” shkruan në marrëveshje.

Por, përkundër kësaj marrëveshje kryeministri Haradinaj, ka marrë vendim që ta shkarkojë ministrin e Punëve të Brendshme, Falmur Sefaj, i cili vjen nga radhët e AKR-së.

Arsyetimi për këtë është aksioni i ditës së djeshme ku mbetën të arrestuar gjashtë shtetas turq, të njohur si përkrahës të Fetullah Gylen, një armik i madh i presidentit të Turqisë, Rexhep Taib Erdogan.

Por, përkundër që në marrëveshjen e koalicionit qeverisës shkruan se Haradinaj nuk ka të drejtë për ta bërë një shkarkim të tillë, Rrahim Pacolli, i ka dhënë të drejtë kryeministrit për ta bërë një shkarkim të tillë.

Zyrtari i AKR-së, duke folur për Insajderi ka thënë se është e pakuptimtë që kryeministri mos të ketë kompetencë t’i shkarkojë vartësit e tij.

“Unë mendoj që kryeministri ka të drejtë ta shkarkojë çdo ministër, përfshirë këtu edhe ata që vijnë nga AKR”, ka thënë Pacolli.

Kur u pyet nga Insajderi, për pikën 5 të marrëveshjes së tyre me PAN-in, ku thuhet e kundërta e veprimit të kryeministrit Haradinaj, Pacolli u shpreh se nuk i kujtohet kjo marrëveshje, anipse në kohën kur është nënshkruar ai kishte pasur rolin kyq.

“Nuk më kujtohet çka shkruhet në marrëveshje. Por, kryeministri b esoj që ka të drejtëshkarkimin e vartësve të tij. Përndryshe, nuk do të kishte pasur kuptim pozita e tij”, tha Pacolli.

Por, për Pacollin, ish-ministri Flamur Sefaj nuk ka pasur “faj” në arrestimin e gjashtë shtetasve turq.

Ai beson që urdhëri ka ardhur nga dikush tjetër, “dikush nga lart” dhe kush është urdhër dhënësi atë duhet ta tregojë vetë Sefaj, thotë Pacolli.

“Unë mendoj që asnjë ministër, jo vetëm Sefaj nuk mundet me e nisë një aksion tjetër, pa marrë urdhër nga dikush më lartë. E kush i ka dhënë urdhër duhet të tregojë vetë Sefaj. Nëse është dhënë urdhër nga lart, ai nuk është përgjegjës. Na nuk jemi përngut dhe do të mblidhet AKR-ja dhe do të marr vendim për të ardhmën. Është e rëndësishme që në fund të gjithë kësaj ështje të del e vërteta”, ka thënë Pacolli.

Pacolli u shpreh se nuk pajtohet me mënyrën si janë arrestuar gjashtë shtetasit turq.

“Unë nuk pajtohna me mënyrën si janë arrestuar gjashtë shtetasit turq. Kjo është kundër të drejtave të njeriut, sepse ne jemi shtet pro evropian dhe pro amerikan, nuk kapen njerëzit në aso mënyre. Personalisht nuk pajtohna me këtë gjë, se kjo mund t’i ndodhë edhe ndonjë qytetari tonë” tha Rrahim Pacolli./Insajderi.com