AKR ka një plan të dytë nëse dështon propozimi i saj për krijimin e qeverisë

AKR ka një plan të dytë nëse dështon propozimi i saj për krijimin e qeverisë

Aleanca Kosova e Re po vazhdon të besoj në një bashkëpunim të spektrit të gjerë politik në Kosovë, për një qeverisje me një afat të caktuar. E nëse kjo i dështon, synon një qeverisje me të tjerët, por pa PDK-në.

Tash për tash partia e Behgjet Pacollit është pjesë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativën. Ajo ka katër deputetë dhe, siç është raportuar, Haradinaj tashmë ka zhvilluar takime edhe me disa prej këtyre deputetëve.

Mirëpo, zëvendëspresidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleanca Kosova e Re, Vesel Makolli tha për Radion Evropa e Lirë se AKR-ja nuk ka deri më tash asnjë marrëveshje me koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN.

“Jo nuk ka marrëveshje me koalicionin PAN. Presidenti jonë ka qenë në kontakt edhe me dy subjektet, edhe me LDK-në edhe me Vetëvendosjen, ka pasur takime. Ne shpresojmë që këto do të arrijnë një marrëveshje”, tha Makolli.

Ai tha AKR-ja dhe lideri i saj janë promotorë në gjetjen e një zgjidhjeje më të shpejt për zhbllokimin e funksionimit të Kosovës.

“Varianti i parë është një Qeveri gjithëpërfshirës. Nëse jo gjithëpërfshirës, atëherë pa PDK-në, do të ishte me së miri. PDK-ja është më së miri të kalojë në opozitë. Edhe ashtu i ka humbur numrat dhe duhet ta lirojë vendin”, tha Makolli.