Anëtari i Aleancës Kosova e Re, Islam Pacolli, ka reaguar sot për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, njofton Insajderi.
Ai përmes një postimi në “Facebook” ka kërkuar rinumërim total të votave.
“Shpallja e rezultateve përfundimtare, respektivisht procesi i ankimimit nxori në dritë manipulime të theksuara, kryesisht brenda llojit. Rinumërimi i vetëm disa pakove nga ankesat individuale të kandidatëve për deputetë nga QNR sipas vendimeve të PZAP vuri ne dritë se procesi zgjedhor megjithatë si tërësi është i përcjell me probleme të theksuara. Pra, qartësisht ka deformim të vullnetit qytetarë dhe jo të gjithë ata që në fakt janë në prag të certifikimit si deputet kanë legjitimitet popullorë të fituar”.
“Deputetët kanë nevojë për legjitimitet qytetarë. Nuk mund të përfaqësohet qytetari nga deputeti manipulues e i pandershëm, përderisa kandidatët meritorë ngelin jashtë Kuvendit- si pasojë e manipulatorëve. Procesi ka nevojë për legjitimitet. Vetëm rinumërimi i tërësishëm mund të garantojë pacenueshmërinë e vullnetit qytetarë. Prandaj, KQZ duhet të lejojë rinumërimin. Kjo nuk ka alternativë”, shkroi Pacolli.
Nga kjo parti vetëm lideri i tyre Behgjet Pacolli ka arritur që të bëhet deputet./Insajderi.com