Një aksident trafiku ka përfunduar me fatalitet në mëngjesin e së hënës.
Një person ka ndërruar jetë sot rreth orës 08:10, si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në autostradën Komoran-Prishtinë.
Siç bën të ditur për Insajderi.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, vetura dyshohet se ka dalë nga rruga dhe është ndeshur me një shtyllë elektrike.
“Rreth orës 08:10 Policia e Kosovës ka pranuar informatën për një aksident trafiku të ndodhur në autostradën Komoran-Prishtinë. Njësitet relevante policore menjëherë kanë dalë në vendngjarje, ku kanë vërejtur se një veturë dyshohet se ka dalë nga rruga dhe është ndeshur me një shtyllë elektrike”, ka thënë Kelani.
Ai tutje ka shtuar se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësia e emergjencës dhe zjarrëfikësit, si dhe është informuar KEDS-i për ndërprerje të energjisë elektrike.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e emergjencës dhe zjarrfikësit, si dhe është informuar KEDS-i për ndërprerjen e energjisë elektrike, përderisa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e një personi. Në vendin e ngjarjes janë të gjitha njësitë relevante të cilat po merren me rastin”, është shprehur Kelani. /Insajderi.com/