
Një aksident trafiku mes një autobusi dhe një veture ka ndodhur të shtunën rreth orës 16:40 në fshatin Lluzhan, në magjistralen Podujevë – Prishtinë.
Lajmin për Insajderi.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo bëri të ditur se si pasojë e aksidentit, një person ka marrë lëndime trupore i cili është dërguar për të marrë trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë.
“Sot në ora 16:40, në magjistralen Podujevë-Prishtinë saktësisht në fshatin në Lluzhan, ka ndodhë një aksident trafiku. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një autobus dhe një veturë.
Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar një person, i cili është duke marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor në QMF në Podujevë”, tha Ahmeti./Insajderi.com