Aksident trafiku në Prishtinë: Lëndohet këmbësori (FOTO)

Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot në rrugën “Edmond Hoxha” të lagjes Bregu i Diellit në Prishtinë.

Gazeta Online Insajderi ka arritur të sigurojë pamje nga ky aksident i ndodhur sot rreth orës 14:00 në kryeqytet, midis një këmbësori dhe një automjeti.

Rastin për redaksinë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se këmbësori që mbeti i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor.

“Sot rreth orës 14:00 në rrugën Edmond Hoxha në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku mes një automjeti dhe një këmbësori. Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore ka pësuar këmbësori i cili është dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë ajo.

Ahmeti tutje shtoi se me rastin po merret njësiti i komunikacionit rrugor. /Insajderi.com