Drejtuesi i autobusit që u aksidentua në Kroaci më 25 korrik, e që si pasojë vdiqën 10 persona, mund të dënohet me më së shumti tetë vjet burg në rast se Kroacia kërkon nga Republika e Kosovës që të marrë përsipër procedurën e veprës penale për të cilën dyshohet se e ka kryer 52-vjeçari.
Ndonëse nga ana kroate është njoftuar se me ligj përcaktohet që maksimalisht një vepër e tillë penale të dënohet me 15 vjet burgim, Kodi Penal i Kosovës në këtë rast është shumë i favorshëm.
Kështu thotë për Gazetën Online Insajderi, ish-Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, derisa ka sqaruar se si bëhet i mundur “transferi i procedurës” nga vendi ku është kryer vepra penale, në vendin e origjinës së të pandehurit.
Sipas tij, transferi i procedurave nuk kërkon marrëveshje në mes të shteteve, andaj nuk ka kurrfarë pengese që të zhvillohet bashkëpunim juridik ndërkombëtar midis palëve.
“Sipas Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në fushën penale, është i mundur “transferi i procedurës” nga vendi ku është kryer vepra penale në vendin e origjinës së të pandehurit, në rastin konkret në Republikën e Kosovës, nëse plotësohen kushtet sipas nenit 42 të ligjit të cituar më sipër”.
“Për transfer të procedurave nuk kërkohet marrëveshje në mes shtetesh – marrëveshje mund të ketë, por nuk është pengesë për transfer të procedurave)”, ka thënë ai.
“Këtu parësore është iniciativa e shtetit ku është kryer vepra penale që të kërkoj nga Republika e Kosovës që të marrë procedurë, nëse ata nuk kërkojnë, nuk mundemi ne ta kërkojmë. KPK është shumë më i favorshëm, ngase maximumi i dënimit është 8 vjet (neni 370.par.9) ndërsa në KP Kroat 15 vjet, në vendet tjera të regjionit, maximumi në raste të tilla të rënda, është 20 vjet”, sqaroi më tej Hasani.
Se s’ka pengesa që vozitësi i arrestuar të transferohet në Kosovë, e thotë edhe avokati Artan Qerkini, i cili bazuar në Kodin Penal, thekson që ky kod zbatohet edhe për shtetasit e Kosovës që kryejnë vepra penale jashtë territorit.
“Edhe pse Kroacia dhe Kosova nuk kanë marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar nuk ka pengesa që vozitësi i arrestuar të transferohet në Kosovë, sepse Kodi Penal i Kosovës zbatohet edhe për shtetasit e Kosovës të cilët kryejnë vepra penale jashtë territorit të Kosovës”, thotë Qerkini.
Sipas tij, në rastin e aksidentit në Slavonski Brod të Kroacisë, viktimat janë shtetas të Kosovës – një arsye më shumë për të ndikuar në vendimin e autoriteteve kroate për të tranferuar procedurën penale të organet kompetente kosovare.
“Ky vendim është diskrecional, ngase shteti i Kroacisë në mungesë të marrëveshjes ndërkombëtare me Kosovën nuk e ka për obligim ta bëjë një gjë të tillë”, ka thënë ai.
Por, me sa kuptohet nga një përgjigje me shkrim e Ministrisë së Drejtësisë për Insajderi-in, Kosova nuk e ka ndërmend të kërkojë bartjen e gjykimit në Kosovë.
“Personi i dyshuar është shtetas kosovar dhe sikur të ishte në kërkim nga organet tona gjyqësore marrëveshja nuk do të ishte pengesë për ekstradimin e tij”, thuhet në përgjigjen e MD-së.
Kjo ministri ende nuk ka pranuar asnjë letërporosi nga autoritetet kroate lidhur me rastin, por njoftojnë se sapo të ndodhë, “do të procedohet sa më shpejt që është e mundur dhe sipas procedurave të theksuara në Marrëveshjen Dypalëshe në fuqi, për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në çështje penale”.
I dyshuari për shkaktimin e vetaksidentit të autobusit në autostradë kroate, është dënuar sot me një muaj paraburgim nga gjyqtari hetues i Gjykatës së Qarkut në Slavonski Brod. Ky vendim u mor për shkak të rrezikut të arratisjes.
Autoritetet kroate kanë thënë se ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari 52-vjeçar ishte duke vozitur autobusin në anën jugore të autostradës në kundërshtim me ligjin për trafikun rrugor.
Sipas tyre, shoferi, në gjendje të lodhjes dhe paaftësisë për të drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt, nuk ka lëvizur në distancë të mjaftueshme dhe ka përfunduar në sipërfaqen me bar. Për pasojë, autobusi më pas është përplasur. /Insajderi.com